Shitblerja e diplomave, dukuri shqetësuese në UP

E publikuar: 29/10/2017 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një numër shumë i madh i studentëve, janë në dijeni ose të përfshirë në procesin e shitblerjeve të temave të diplomave në të gjitha nivelet e studimit. Ky është një hulumtim që e ka siguruar Radio Kosova, i cili është bërë nga Instituti Edguard. Çmimet e diplomave variojnë nga 150 deri në 250 euro.

Dukurinë e shitblerjeve të temave të diplomave e pranojnë edhe studentët. Disa prej tyre janë në dijeni për këtë dukuri, por ka të tillë që e pranojnë se janë edhe të përfshirë në të. Një studente e nivelit master në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ka deklaruar për televizionin publik se është e përfshirë në këtë proces. Por, ajo nuk dëshiron të thotë emrin e saj dhe temën e diplomës për arsye sigurie, pasi është në dijeni që është shkelje ligjore.

“Jam në nivelin master në Filologjik. Për arsye që jam në punë, nuk kam pasur kohë të merrem me temë hulumtuese, e kam angazhuar dikë që është i asaj fushe. Diku 300 euro më kushton tema. Ai del e bën temën hulumtuese në terren, unë në fund ia lëshoj një sy dhe e dorëzoj.”

Rinor Qehaja nga Instituti Edguar, i cili është marrë më këtë hulumtim, tha se ka rezultuar një prezencë shumë e madhe e kësaj dukurie në mes të studentëve, dhe jo vetëdijesim i mjaftueshëm i tyre për efektin që ka. Ai tha se Instituti Edguar është marrë me anketim të një numri të madh të studentëve, ku, sipas rezultatit, mbi 80 për qind janë në dijeni ose vetë janë të përfshirë në procesin e shitblerjeve të diplomave.

“Gjatë kësaj faze janë investiguar edhe raste të shitblerjes drejtpërdrejt të temave. Kemi vërejtur që sa lehtë e qasme është blerja e temës online, çmimet për diçka të tillë, procedurat etj. Është e rëndë pasi është vepër penale, por është shumë e shpërndarë mes studentëve. Çmimet variojnë nga 150 deri në 250 euro,varet prej nivelit të studimeve. Dallojnë shumë, për shkak se interesi i blerësit është që të marrë vetëm një diplomë a po është i interesuar që dikush ta punojë në mënyrë më të mirëfilltë atë diplomë.”

Prorektori për Kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, tha se “ndihma jolegjitime” te punimet akademike është një problem ndërkombëtar. Ai tha se rolin vendimtar e kanë mentorët dhe komisionet që duhet t’i kontrollojnë temat.

“Kontrollimi i temave të diplomave në të tri nivelet, është pjesë e punës së përditshme të mentorëve. Mentorët duhet të jenë të informuar mbi atë se çka është origjinale dhe duhet me shumë kujdes t’i lexojnë e të merren me temën e diplomës dhe përparimin e kandidatëve.

Berisha sqaroi se në rast të shkeljeve të tilla, atëherë merren komisionet disiplinore pranë këshillave të fakulteteve përkatëse.

“Komisionet mund ta suspendojnë temën e diplomës, kandidatin e identifikuar për këtë shkelje, dhe krejt kjo quhet pandershmëri akademike”, shtoi prorektori.

Këshilli Evropian organizon konferenca çdo vit për këtë dukuri, pasi është problem në shumicën e universiteteve ndërkombëtare. Në gjuhën angleze ka edhe ueb faqe që merren me kontraktimin e punimeve të caktuara të diplomave.