Shiste vetura që i merrte me qira, arrestohet 37-vjeçari 

E publikuar: 26/11/2023 16:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një 37-vjeçar është arrestuar në Elbasan, pasi shiste automjetet që merrte me qira.

Ai shiti tre automjete që i kishte marrë me qira, duke u hequr GPS dhe falsifikuar dokumentet.

Në pranga ka rënë Thanas Beko, teksa automjetet janë shitur për vlerën 20 mijë euro.

Njoftimi:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që i kryejnë ato, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, bazuar në kallëzimin e bërë nga një shtetas që jepte automjete me qira, se i kishin marrë me qira 3 automjete dhe nuk ia kishin kthyer me, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, për zbardhjen e rastit.

Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim edhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, u vu në pranga shtetasi:

Th. B., 37 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit: R. L., 25 vjeç dhe I. B., 33 vjeç, të dy banues në Elbasan, të dy puonjës të DRSHTRR Elbasan.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Th. B. dhe shtetasi R. L. kanë marrë me qira 3 automjete dhe pasi i kanë hequr GPS dhe i kanë falsifikuar dokumentet mbi pronësinë dhe dokumentet e tjera, i kanë shitur kundrejt vlerës 20 000 euro.

Për falsifikimin e dokumenteve të automjeteve, shtetasi R. L. ka shpërdoruar detyrën në DRSHTRR Elbasan, në bashkëpunim me punonjësin tjetër, shtetasin I. B.

Vijon puna për kapjen e këtyre dy shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

3 automjetet janë sekuestruar nga Policia, bashkë me 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.