“Shihemi në gjykatë”, Vjosa Osmani do e padisë Bajqinovcin për shpifje pasi i tha që ajo ishte në anën e Lajçak

E publikuar: 07/04/2026 23:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Egnesa Vitia, këshilltare e presidentes Osmani, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj deputetit të LVV-së, Mefail Bajqinovci.

Pas intervistës në Pressing, deputeti Bajqinovci tha se “Presidentja jo vetëm që nuk ka kontribuar në heqjen e masave, por ka qenë në të njëjtën linjë me Lajçakun, pra për tërheqje nga veriu”.

E më pas, këshilltarja e Osmani, Vitia, shkroi në Facebook: Për shpifjen e publikuar sonte, deputeti Mefail Bajqinovci do të paditet për shpifje nga Presidentja Osmani. Natyrisht, për dallim nga pretendimet e tij të pavërteta, Presidentja Osmani posedon dëshmi të qarta dhe konkrete që dëshmojnë se ai dhe urdhërdhenësit e kësaj shpifjeje po gënjejnë. Shihemi në gjykatë.

Reagimi i saj vjen pasi deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, e ka akuzuar ish-presidenten, Vjosa Osmanin se ishte në linje me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

Përmes një postimi në Facebook, Bajqinovci ja ka kujtuar Osmanit kohën kur pastrimin e strukturave kriminale e quante “bixhoz”.

“Ky është kontributi i saj në lidhje me masat!”, ka shkruar Bajqinovci.

Postimi i plotë:

Presidentja jo vetëm që nuk ka kontribuar në heqjen e masave, por ka qenë në të njëjtën linjë me Lajçakun, pra për tërheqje nga veriu.

Nëse nuk ka harruar, Presidentja pastrimin e strukturave kriminale e quante “bixhoz”.

Ky është kontributi i saj në lidhje me masat!