Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se është duke zhvilluar hetime për rreth 2 mijë kontrata një burimore të lëshuara gjatë qeverisjes Kurti, shkruan infosot.com
Në mesin e kontratave që janë duke u hetuar, është edhe kontrata për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër, që nisën të vendoseshin javën e kaluar.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka bërë të ditur se pesë prokurorë janë të angazhuar për trajtimin e kontratave një burimore.
“Prokuroria Speciale nuk e ka në kompentencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore. Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, hetimet për kontratën për ndërtimin e urave në Mitrovicë, nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore.
“Hetimi për kontratën për ndërtimin e urave në Mitrovicë, nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”.
















