Shifra dekurajuese për integrimin e pakicave në Ballkanin Perëndimor

E publikuar: 10/11/2017 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi i Veprimit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal 2020 (RIC2020) ka adresuar nevojat dhe prioritetet në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi në lidhje me mbushjen e boshllëqeve buxhetore në Politikat e Integrimit të Romëve me fokus të veçantë në punësimin dhe strehimin.

Kur janë pyetur drejtuesit e bizneseve të ndryshme sa i përket gatishmërisë për të punësuar njerëz të komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë, 16 për qind janë shprehur se nuk janë të gatshëm të punësojnë pjesëtarë të këtyre komuniteteve. Ndërkohë 19 për qind kanë thënë se nuk janë shumë të sigurt për sa i përket punësimit të këtyre komuniteteve. Kjo është bërë e ditur në konferencën e organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RÇ) në Tiranë e ku janë bashkuar qeveritë kombëtare nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia si dhe organizatat aktive të donatorëve në rajon, institucionet financiare dhe nismat rajonale, përcjell rtklive.com.

Goran Svilanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal ka thënë se shifrat nuk janë shumë inkurajuese. “Kjo në vetvete flet shumë lidhur me paragjykimet dhe ne bashkërisht duhet të japim kontributin tonë për të hequr këto paragjykime”, ka thënë ai.

Sipas Svilanoviç, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal derisa ka përgatitur raportin e barometrit për Ballkanin, atë e ka vënë në të njëjtën linjë me raportin për barometrin në nivelin e BE-së. “Dhe shifrat nuk janë aq premtuese”, ka thënë Svilanoviç.
Ndërkaq, Abit Hajredini, drejtor i Zyrës për qeverisje të mirë dhe të drejta të njeriut në zyrën e Kryeministrit të Kosovës ka thënë se janë bërë veprime shumë të rëndësishme sa i përket integrimit të pakicave në Kosovë.

“Qeveria ka miratuar në prill të këtij viti një strategji dhe plan veprimi për të drejtat e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas”, ka thënë Hajredini.Ai ka shtuar se ky plan ka katër objektiva të rëndësishme. “Në këtë dokument janë përfshirë aktivitete të rëndësishme në edukim, arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale”, ka thënë ai për rtklive.com.

Sipas Hajredinit, është punuar ngushtë për këtë dokument edhe me komunitete dhe organizata të ndryshme. Po ashtu, ai tha se është ndarë edhe një buxhet, varësisht nga aktivitetet që do të realizohen.

“Ajo që ndoshta na sfidon më shumë është aspekti i punësimit dhe gjendja sociale që godet grupet vunerabël”, ka thënë Hajredini.

Sipas tij, Kosova bazuar në barometrin e RÇ-së qëndron paralel me vendet e rajonit. “Janë bërë punë të mira edhe në ri-integrimin e të kthyerve”.

Sivjet Kosova ndërkaq u ballafaqua me sëmundjen e fruthit që ka atakuar kryesisht fëmijët e këtyre komuniteteve. “Këtë kemi mundë me pa edhe deklarimet e personave kompetent. “Pasojat janë me siguri të ndryshme por kemi tejkaluar gjendjen dhe kjo lë me punu shumë më shumë me këto komunitete në aspektin e vetëdijësimit”, ka thënë Hajredini.

Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, ku po mbahet konferenca për integrimin e pakicave rome, egjiptiane dhe ashkalinjëv ka thënë se objektivi është krijimi i forumit të përbashkët për ekonomitë e vendeve dhe donatorët, për të diskutuar nevojat dhe prioritetet për integrimin e romëve dhe egjiptianëve, veçanërisht në fushat e punësimit.

“Ka pasur nëj bashkëpunim të frytshëm rajonal në kuadër të integrimit rajonal e që duam ta çojmë përpara përmes këtij takimi të përbashkët me identifikimin dhe përshtatjen e mundësive për financim, qoftë mbi baza bilateral apo rajonale”, ka thënë ministresha shqiptare e shëndetësisë.

Sipas saj, Shqipëria synon të krijoj një model në Ballkanin Perëndimor për politikat integruese për pakicat rome dhe egjiptiane. “Në fakt, më lejoni të ndaj me Ju se kemi arritur rezultate të kënaqshme në vitin 2016 në realizim të planit kombëtar për integrim të romëve dhe egjiptianëve”, tha ajo.

Ndërkohë, këtë vit, Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

“Qeveria shqiptare po punon me këmbëngulje për zbatimin e pesë prioriteteve kyçe që rezultojnë nga dialogu politik i nivelit të lartë midis qeverisë dhe bashkimit evropian”, tha ajo, transmeton Rtklive.

Ndryshe, objektivi kryesor i Konferencës që po mbahet në Tiranë është krijimi i një forumi të përshtatshëm për ekonomitë pjesëmarrëse dhe donatorët për të diskutuar nevojat dhe prioritetet për integrimin e romëve, veçanërisht në fushat e punësimit dhe strehimit. Gjithashtu, konferenca synon identifikimin dhe përshtatjen e mundësive për financimin qoftë në baza dypalëshe apo rajonale për masa dhe programe që nuk mund të financohen plotësisht nga buxhetet kombëtare. RTKLive