Shevchenko: Respektojmë Kosovën, por vetëm fitorja rezultat pozitiv për ne

E publikuar: 08/10/2016 18:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Ukrainës, Andriy Shevchenko në konferencë për shtyp është shprehur se Kosova ka lojtarë të mirë, dhe e respektojnë atë, por rezultati i vetëm pozitiv për ekipin e tij është fitorja.

Ukraina nesër e pret Kosovën në Kraikoëa të Polonisë, ndërsa është në kërkim të fitores së parë në kualifikimet për Botëror, pas dy barazimeve radhazi. Kurse Kosova hyn në këtë ndeshje me një barazim dhe një humbje.

“Nuk dimë shumë për Kosovën, ne kemi shikuar vetëm disa miqësore të saj, si dhe këto në kualifikime ndaj Finlandës dhe Kroacisë. Kemi analizuar lojën e saj, e dimë se ka disa lojtarë shumë të mirë dhe se është një ekip i ri. Ata janë ekip i pa njohur, por ne i respektojmë sepse e di që Kosova ka lojtarë shumë të mirë, dhe presim ndeshje të mirë nesër. Gjithashtu edhe situata në Grup. Pas dy barazimeve ne duhet të fitojmë, por e dimë se edhe për Kosovën është e rëndësishme që të marr rezultat pozitiv. Prandaj të dyja ekipet hyjnë në fushë që të marrin rezultat pozitiv, i vetmi rezultat pozitiv për ne është fitorja”, është shprehur Shevchenko, raporton Koha.net.

Ai ka vlerësuar se armën më të fortë Kosova i ka kundërsulmet, me lojtarët anësorë shumë të shpejtë, ndërsa ka komentuar edhe dy ndeshjet e para të Kosovës ndaj Finlandës dhe Kroacisë.

“Kosova mundohet të luajë lojë të shpejtë dhe me kundësulme, dhe këtë do të përpiqet ta bëjë, ajo ka anësorë shumë të shpejtë. Nuk isha i befasuar me rezultatet që Kosova mori në dy ndeshjet e para, kjo pasi çdo ndeshje është ndryshe. Kundër kroatëve pas rezultatit 0-1 mendoj se Kosova kishte raste shumë të mira, por ndonjëherë edhe nëse luani mirë rezultati mund të mos e tregojë atë”, ka thënë ai.

Sheva më tutje është shprehur se gjendja politike dhe vendimi që ndeshja të luhet në Poloni nuk ka ndikuar në ekipin e tij.
“Për ne është e rëndësishme që të përdorim kualitetin e lojtarëve. Nuk e ka ndikuar ndeshjen gjendja politike, dhe që luajmë në Poloni. Stërvitja e sotme do të tregojë se cilët lojtarë do t’i vendos në fushë, por kjo do të përcaktohet në bazë të gjendjes fizike”, ka thënë ai në konferencë.