Një debat me akuza, të bërtitura dhe “kërcënime” ka qenë ai që po zhvillohet këtë të martë në komisionin parlamentar të medias.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj dhe kryetarja e komisionit, deputetja demokrate Albana Vokshi janë përplasur hapur mes tyre në lidhje me Teatrin Kombëtar. Komisioni ka nisur me fjalët e Vokshit e cila ka deklaruar se sot nuk ishte i ftuar në seancë dëgjimore Veliaj por Ministrja e Kulturës. Vokshi është shprehur se kjo sjellje e Veliajt tregon arrogancën e këtij të fundit, e në këtë moment kryetari i Bashkisë ka ndërhyrë duke ju kundërpërgjigjur akuzës.
Situata është tensionuar aqsa Vokshi ka nisur të bërtasë e ka kërkuar që Veliaj të dalë përjashta, por kryebashkiaku nuk pranon të dalë nga komisioni.
DEBATI:
Vokshi: Dëgjesa me Veliajn do mbahet nesër, jo sot. Kudo ju çon Rama çift.
Veliaj: Po gënjen…
Vokshi: S’më thua dot ti gënjen
Veliaj: Siç po gënjen për çdo project që bën Bashkia e Tiranës.
Vokshi: Veliaj, s’të kam dhënë fjalën. E para ki kujdes me gjuhën që përdor. Jam kryetare komisioni Erion.
Veliaj: Të vjen tjetri për respekt, ti i thua ik. Ti ndoshta s’meriton respekt. S’më ke zgjedhur ti.
Vokshi: Jeni i paftuar, mbylljani mikrofonin. Ka mundësi ta mbyllësh?
Veliaj: Mos gënje, je kryetare dhe kryegënjeshtare
Vokshi: Të nxjerr dhe përjashta. Mbylle mikrofonin të thash!
Veliaj: Përjashta? Harroje, nuk dal!
Vokshi: 5 minuta pushim derisa të ikë zoti Veliaj!/Gazeta Express