Sekretari i Nismës për Kosovë, Bilall Sherifi, i është drejtuar komisionarit evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, duke i thënë se është dashur t’i lexoj transparentet e shpalosura nga opozita në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, kur Hahn mbajti fjalim.
“Të mos marrësh mundin as t’i lexosh dy fjali, do të thotë të mos jesh i interesuar fare për argumentet e opozitës, e cila gjithashtu përfaqëson qëndrimin e një pjese dërmuese të qytetarëve të këtij vendi. Ai ka mundur dhe është dashur që nga rreth 20 minuta sa zgjati fjala e tij në seancë, së paku 20 sekonda t’ia kushtojë leximit të atyre dy fjalive të opozitës. Fundja, leximi i tyre është vlerë evropiane dhe jo mos leximi”, ka shkruar Sherifi, transmeton Koha.net.
Ai thotë se Hahn sikur t’i lexonte e të mos pajtohej do të ishte e kuptueshme, por sikur të mos kishte dashur t’i lexonte për hir të opozitës, është dashur për hir të atyre që përfaqësojnë.
Sipas Bilall Sherifit, përgjigja që kanë marrë opozitarët, edhe pse përdoren mjete demokratike ishte, “Thuani dhe shkruani çka të doni, por meqë qëndrimet e juaja nuk na pëlqejnë ne nuk marrim mundin madje as t’i lexojmë dy fjali tuajat”.
Kjo qasje sipas Sherifit i japin kuptim dhe legjimitet më të madh, veprimeve të opozitës me vezë dhe gaz lotsjellës.
Ai në fund thotë se gazi lotsjellës dhe vezët, mbeten të pashmangshëm kur edhe nga një komisionar evropian marrin përgjigje zhgënjyese.


















