Rijeka e Bekim Balajt dhe Odise Roshit nuk ndalet. Skuadra e dyshes kuqezi fitoi 3-0 në fushën e Hajdukut të Splitit, në sfidën që cilësohet derbi i Adriatikut.
Balaj arriti edhe të shënonte në duelin e luajtur përballë 25 mijë tifozëve, ku nuk mungoi spektakli pirroteknik dhe ndërprerja e lojës prej hedhjes së fishekzjarrëve në fushë. Sulmuesi kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 50-të, duke shfrytëzuar një dalje të Tomasov dhe largimit jo të mirë të topit nga portieri.
Më parë, Bezjak dhe pikërisht Tomasov, kishin realizuar dy herë në pjesën e parë të takimit. Pjesë e suksesit ishte edhe Odise Roshi, i cili u aktivizua në 8 minutat e fundit të kohës së rregullt. Ndërkohë, në sekondat e fundit, Balaj u ndëshkua me kartonin e verdhë. Ky fakt nuk e prish paraqitjen e shkodranit, që realizoi golin e 6-të sezonal në elitën e futbollit kroat.
Sulmuesi mbetet një prej protagonistëve të ekipit të tij, që regjistroi fitoren e katërt radhazi në kampionat, ndërsa ende nuk ka pësuar asnjë humbje. Me ecurinë e jashtëzakonshme, Rijeka kryeson kampionatin me 31 pikë të grumbulluara në 15 javë të luajtura. Hajduku zbret në vendin e dytë me 2 pikë më pak, ndërsa Dinamo e Zagrebit është e trata në kuotën e 27 pikëve.