Shën Tereza – 7 ditë nga shenjtërimi i përbotshëm

E publikuar: 10/09/2016 11:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

????????????????????????????????????

Shkruan Flamur Shala

Shën Tereza është nderi i njerëzimit, shenjë e patjetërsueshme e humanizmit, e shekullit XX, e përbotshmja. Shenjtërimi i saj nga Vatikani është përmbushje e vlerave të përjetshme që i ofrohen njerëzimit e bëhen pjesë e globit. Jo shpesh kaq fuqishëm, me porosi epokash për ardhmërinë, për shenjtërimin, për vendin, vijnë të mirat dhuratë për njeriun, për kombin që i takon, për njerëzimin.

Nuk dimë krejt nëse ishte nisur për t’u bërë e shenjtë. Por, sikur e kishte zgjedhur këtë rrugë kaq të vështirë. Dimë se e ndiente në çdo hap se humanizmi dhe solidariteti janë detyra të mëdha para njerëzimit, në shekullin XX, në shekuj e përtej.

Shekulli XX ishte ndër më të përgjakshmit, është shekulli i revolucioneve të mëdha, i formimit të organizmave të mëdha botërore, është shekulli i dy luftërave botërore.

Të shekullit XX janë vendimet e mëdha për ardhmërinë e globit: formimi i Lidhjes së Kombeve – Kombet e Bashkuara, formimi i alenacës ushtarake me fuqi botërore – Nato, në shërbim të paqes e të humanizmit, formimi i Bashkimit Evropian; sot janë këto tri organizata politike e ushtarake që e ruajnë botën demokratike e përtej, e ruajnë globin nga përpjekjet gllabëruese të së kaluarës, nga ambiciet për mbizotërimin e një kombi mbi tjetrin. Këto organizata udhëhiqen nga sisteme përfaqësimi, nga njerëzit e mendjes e të dijes, në shërbim të paqes e të humanizmit, në shërbim të ardhmërisë së njerëzimit.

Kombet e Bashkuara bartin mbi vete konceptin e kombeve të barabarta. Kombet e barabarta janë kombet e zhvilluara me konceptet demokratike. Demokracia është matësi më i mirë i barazisë. Demokracia funksionale do t’i zhvillonte të gjitha konceptet e tjera të zhvillimit kombëtar dhe më gjerë. Zhvillimi sipas parimeve të demokracisë është vetë shteti demokratik, është barazia, humaniteti e solidariteti. Njeriu është në epiqendër të zhvillimit të shoqërisë sipas parimeve të barazisë, të demokracisë, dihet.

Njeriu nuk është vetëm ai vetë, por është edhe ai i veçanti (Herman Hesse) dhe në të gërshetohen fenomenet e kësaj bote, vetëm një herë dhe asnjëherë më. Në secilin nga ta ka një shpëtimtar. Në secilin nga ta ka nga një Agnesë, me shpirt humanizmi, ka një kryqëzim sakrifice, si Gonxhe Bojaxhiu. Sakrificën për të tjerët, Gonxhja po e merrte për sipër, si një detyrë që po ia detyronte shpirti i saj, po ia thoshte si me pëshpërimë, dalëngadalë, ditëpërditë.

Gonxhja kishte filluar një rrugë të gjatë që të mbërrinte te vetja, te njeriu me më pak vuajtje. Humanistja me shpirt të shenjtëruar, po e vazhdonte atë rrugë duke e njohur çdo ditë! Duke e prekur e njohur përditë, duke e praktikuar humanizmin dhe solidaritetin ndaj njeriut të pashpresë, ajo kishte mësyrë piedestalin e njeriut të shenjtëruar. E kishte kuptuar se shenjtërimi nuk është vetëm akt, por është sakrificë e përditshme, është mision, është ndjenjë, është gjithçka që të lartëson, të bën të paepur, të shenjtëron.

Gonxhja e shihte mirë, ditëpërditë, se aty ku ka vaj, aty ku ka vuajtje, aty ku ka përbuzje, aty ku ka urrejtje, aty mund të ketë buzëqeshje, aty mund të ketë gëzim, aty mund të ketë këngë, aty mund të ketë shpresë, aty mund të ketë dashuri, aty mund të ketë adhurim. Kështu, duke e kthyer shpresën, buzëqeshjen e dashurinë te ata që kishte humbur, ajo po i kundërvihej të gjithë shekullit, po u kundërvihej shekujve të skamjes e të përbuzjes, po i kundërvihej urrejtjes me humanizëm e kamjes po i bënte thirrje për solidaritet, po u kundërvihej vuajtjeve e vrasjeve, luftërave shkatërruese.

Nënë Tereza po u shërbente njerëzve të thjeshtë, të braktisur, të pashpresë, u shërbeu porosive biblike mbi jetën, njeriun dhe dinjitetin, shpresën, humanizmin e solidaritetin. Ajo po shëndriste si nuri. Po e gjenim tanimë kudo në botën e re demokratike, nëpër kancelaritë me ndikim. Dora e saj, si me magji, po i prekte udhëheqësit botërorë, të shteteve e kombeve, të mëdha e të vogla, po i bekonte me porosinë mbi ndërgjegjen ndaj njeriut, ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmë. Humanizmi e solidariteti ishin vetë jeta e saj, u bënë udhërrëfimi drejt rrugës së shenjtërimit.

Nënë Tereza u bë dashuri dhe shëmbëllesë, shkëlqim për të tjerët, shpresë e humanizmit botëror. U bë amënorja e ndërgjegjes në luftën ndaj së keqes, ndaj urrejtjes, kundër përbuzjes. U bë ndërgjegje e përbotëshme.

Nënë Tereza u shenjtërua nga Vatikani. Shenjtërimi i saj është bekim për njerëzimin. Është bekim për të jetuar përmot. Shën Tereza u bë e përbotshme, shenjtëri e njerëzimit, e kombit shqiptar gjithandej, që nga Shkupi e Tirana e deri në Prishtinë.