Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka ndarë një mesazh prekës pas vdekjes së vëllait të tij të vetëm, Idriz Syla. Ai e përshkruan Idrizin si një mbështetje të paçmuar gjatë momenteve më të vështira të jetës së tij, një hero të heshtur dhe një shembull për familjen dhe vendin, shkruan Infosot.
“Edhe kur lodhej, ai nuk u largua kurrë prej meje… Sot kuptoj sa shumë gjëra i kam marrë si të mirëqena: zërin e tij, këshillën, praninë,” shkruan Syla.
Ai premton se emri dhe puna e Idrizit do të jetojnë përmes familjes dhe fëmijëve të tyre.
Potimi i plotë:
Për Idrizin, vëllaun tim
Nuk është e lehtë të shkruash për vëllaun tënd kur ai nuk është më.
Jo sepse mungojnë fjalët,
por sepse ato janë të shumta.
Idrizi ishte vëllai im i vetëm.
Me të u rrita, me të u formova, me të u bëra ky që jam sot.
Në çdo vendim të rëndësishëm, në çdo hap, në çdo rrezik që mora, ai ishte aty – herë përkrah meje, herë një hap përpara, por gjithmonë në anën time.
Shpesh mendoj se sa shumë prej asaj që kam sot, nuk do ta kisha pa të.
Jo vetëm pasuri, jo vetëm punë, jo vetëm siguri.
Por guxim. Qëndresë. Besim te vetja.
Kur unë isha në burg, ai ishte jashtë, por nuk ishte i lirë.
Jetonte me ankthin tim, me frikën time, me pritjen time.
Në arrestimin e dytë, në hetuesi, përgjatë nëntë muajve rresht erdhi çdo ditë për të mё parë. Që t’më sillte lajme, që t’më sillte shpresë, që t’më sillte ndjenjën se nuk jam vetëm.
Në shumë momente, ai ishte arsyeja pse nuk u dorëzova.
Shtëpia e tij nuk ishte vetëm shtëpi.
Ishte vend takimi, vend besimi, vend ku njerëzit ndiheshin të sigurt.
Aty hynin shokë, veprimtarë, luftëtarë.
Aty bëhej bashkimi i forcave për idealin e lirisë që sot e gëzojmë.
Ai nuk pyeste kurrë: “Çka po fitoj unë?”
Pyeste: “Çka mund të bëj për të tjerët, Si mund të ndihmoj?”
Sikur nuk i mjaftoi kontributi që jepte, katër djemtë e tij iu ngjitën malit për luftën për liri.
Unë e di sa e rëndë ishte kjo për të.
E di se çfarë tmerri përjetonte nga larg, për ne, për familjen, për vendin e tij.
Idrizi ishte hero i heshtur.
Edhe kur i sillja telashe, edhe kur i sillja rrezik, edhe kur lodhej,
ai nuk u largua kurrë prej meje.
Në shumë momente të jetës sime,
kur nuk e dija kah të shkoja,
e shikoja atë.
Dhe mjaftonte.
Sot, pa të, e kuptoj sa shumë gjëra i kam marrë si të mirëqena.
Zërin e tij. Këshillën. Heshtjen e tij. Praninë.
Më la pas shumë përgjegjësi.
Më la pas një emër për ta mbajtur drejt.
Më la pas një standard se si duhet të jesh vëlla, burrë, prind, njeri.
Jam mirënjohës që e ecëm bashkë këtë rrugë.
Jam mirënjohës që e pata pranë.
Jam mirënjohës që pata një vëlla si ai.
Idriz,
puna jote vazhdon te ne.
Emri yt vazhdon te familja.
Shembulli yt vazhdon te fëmijët tanë.
Pusho i qetë, vëlla! Do të jetojmë gjithmonë me kujtimin për ty!




















