Sheholli: Çmimi i rrymës në veri do të jetë më i ulët se në pjesën tjetër të Kosovës

E publikuar: 24/06/2022 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë se çmimi i pagesës së energjisë elektrike do të jetë shumë më i ulët në veri të Kosovës në krahasim me atë që e paguajnë qytetarët në pjesën tjetër të vendit.

Sipas tij, kjo mund të sjell mllef te kosovarët.

“Konsideroj që çmimi do të jetë shumë i ultë me në krahasim me këtë qe e paguajmë ne, dhe kjo mund të sjell mllef tek ne sepse unë dhe ju do ta paguajmë më shtrenjtë rrymën siç i paguan një serb i veriut, ose ai i veriut edhe mundet të mos e paguaj sepse shteti ia paguan, kryesorja është të paguhet rryma. Deri tash edhe unë dhe ju dhe prindërit tanë e kanë paguar”, tha Sheholli në Tëvë1.

Ai thotë se nuk ka dilemë se kompania “Elektrosever” ka një autonomi të vetën dhe sipas tij, ky ishte kompromisi i kësaj marrëveshjeje.

“Duhet ta shohim çmimin e rrymës se si do të jetë në atë pjesë dhe formën e veprimit të kësaj kompanie se si do të veprojë se që e ka ajo një autonomi të vetën në veti kështu, këtu dilemë nuk ka. Ky ka qenë kompromisi i kësaj marrëveshje. Kjo autonomi është se pikërisht kjo është kompani shtetërore që graviton në Kosovë”, ka deklaruar Sheholli.