Shefqet Krasniqi, kryeimam në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, do të hetohet edhe më tutje për tri vepra penale, njëra prej të cilave ndërlidhet me terrorizëm, shkruan sot Koha Ditore.
Për hetimin e tij, bazuar në vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të cilin e posedon gazeta, prokuroria ka afat edhe katër muaj.
Krasniqi mbetet i vetmi imam ndaj të cilit po vazhdojnë hetimet, meqë të premten e kaluar është përmbyllur procesi hetimor ndaj grupit prej 15 personave, të cilët për dy vjet janë hetuar nga prokuroria. Prej këtij grupi, janë akuzuar vetëm një imam dhe një hoxhë për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, si dhe tre të tjerë janë akuzuar për nxitje të urrejtjes e për thirrje për rezistencë.