Shefja e misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë, Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, nisi zyrtarisht misionin në Kosovë, duke mbajtur edhe një konference për media në Prishtinë.
Loiseau njoftoi se, pas ftesës nga Presidentja e Kosovës drejtuar BE-së për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, misioni do të shpërndajë në terren 18 vëzhgues afatgjatë të zgjedhjeve për t’i mbuluar të gjitha komunat e Kosovës.
Ekipi bazë i misionit prej nëntë analistësh filloi punën në fillim të këtij muaji kur arriti në Prishtinë më 8 janar.
Shefja e misionit Nathalie Loiseau tha se “Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë moment me rëndësi për Kosovën, duke shfaqur pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës. Prania e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke u lejuar votuesve të Kosovës të shprehin zgjedhjet e tyre. Kjo gjithashtu nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të fuqizuar më tej qeverisjen demokratike.”
“Po i shpërndajmë në terren nëntë ekipe të vëzhguesve afatgjatë, që punojnë në çifte, meshkuj dhe femra, në mbarë Kosovën. Ata do të vlerësojnë fushatën dhe përgatitjet për zgjedhje në të gjitha komunat. Vëzhguesit afatgjatë janë të rëndësishëm për misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve të BE-së për të kryer një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor, në përputhje me metodologjinë standarde të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve”.
Vëzhguesit afatgjatë vijnë nga 18 shtete, përfshirë Shtetet Anëtare të BE-së, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Janë vëzhgues të pavarur dhe të paanshëm dhe do të takojnë zyrtarë lokalë të zgjedhjeve, kandidatë dhe përfaqësues të partive politike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave lokale.
Pak para ditës së zgjedhjeve, misioni do të përforcohet me 36 vëzhgues afatshkurtër, një delegacion deputetësh nga Parlamenti Evropian dhe deri në 36 diplomatë nga shtetet anëtare të BE-së, Kanada, Norvegjia dhe Zvicra, të akredituar në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet mbulim sa më i gjerë për Kosovën. Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE do të qëndrojë në Kosovë deri në përfundim të procesit zgjedhor.
EU EOM operon nën një kod sjelljeje i cili kërkon neutralitet të rreptë dhe mosndërhyrje.
Misioni operon nën një mandat të veçantë dhe të dallueshëm nga ai i Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së në Kosovë. Misioni funksionon në përputhje me Deklaratën e Parimeve për VëzhgiminNdërkombëtar të Zgjedhjeve.
Vëzhguesit afatgjatë do të nisen në terren të dielën më 19 janar në orën 10:00 nga selia e Misionit në Prishtinë.