Kryeministri Albin Kurti e priti sot në zyrën e tij Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, pasi Qeveria miratoi pakon sanksionuese ndaj Rusisë.
Në takim, Kurti e njoftoi ambasadorin Szunyog për vendimin e sotëm të qeverisë dhe për pakon e sanksioneve kundër Federatës Ruse, të cilat janë në linjë me ato të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Teksa u diskutua për zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe për gjendjen e sigurisë në Evropë dhe rajon pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse, kryeministri theksoi nevojën për bashkërendim dhe bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe partnerëve tjerë.
Ambasadori Szunyog shprehu falënderimin e tij për rreshtimin e Republikës së Kosovës me politikën e Bashkimit Evropian dhe vendosjen e sanksioneve në linjë me të.
Szunyog tha se me vendimin e sotëm po tregohet jo vetëm harmonizim me politikën e jashtme të BE-së, por edhe me vlerat të përbashkëta. Mes tjerash, u dakordua që të shtohet komunikimi dhe bashkërendimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës.



















