
Më shumë se 60 persona dyshohet se kanë vdekur pas përplasjes së aeroplanit të pasagjerëve të American Airlines dhe heliktoperit ushtarak të rënë në lumin Potomac, në afërsi të Aeroportit të Washingtonit Reagan, raporton Reuters.
“Në këtë pikë ne nuk besojmë se ka ndonjë të shpëtuar”, tha se Shefi i zjarrëfikësve të Distriktit të Kolumbisë, John Donnelly, në një konferencë sot.
Ai tha se 28 trupa janë nxjerrë nga lumi.
“Ne do të punojmë për të gjetur trupat e tjerë dhe për t’i bashkuar ata me më të dashurit e tyre”, shtoi ai.
American Airlines konfirmoi se 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e avionit, ndërsa zyrtarët amerikanë thanë se helikopteri po transportonte tre ushtarë në një fluturim stërvitor.
Pasagjerët në fluturim përfshinin patinatorë në akull, familjarë dhe trajnerë që ktheheshin nga ngjarjet në Wichita, Kansas, përfshirë ish-kampionët e botës me origjinë ruse, Yevgenia Shishkova dhe Vadim Naumov.
“Na është thënë se nuk ka të mbijetuar”, tha kryebashkiaku i Wichita Lily Wu në një konferencë shtypi.