
Një zyrtar i qeverisë së Nigerit thotë se trupi i rreshterit La David Johnson u gjet më vonë se trupat e tre ushtarëve të tjerë të vrarë nga ekstremistët në këtë vend në Afrikën qendrore, gjatë një operacioni më 4 tetor. Sipas autoriteteve në Niger, arsyeja për këtë vonesë ishte se rreshteri Johnson kishte mbetur në vijën e konfliktit, ndërsa të tjerët ishin tërhequr kur kishin filluar të shtënat nga ekstremistët. Rhisa Ag Boula, një zyrtar i lartë qeveritar tha për Zërin e Amerikës se Johnson ishte vrarë aty ku filloi sulmi kundër ekipit elitë. E veja e rreshterit të vrarë tha dje për rrjetin ABC se nuk ishte informuar mbi vendin dhe rrethanat e vrasjes së të shoqit. Siç njofton korrespondentja Zlatica Hoke, ende mbeten shumë paqartësi lidhur me incidentin vdekjeprurës në Niger:
E veja e rreshterit ka shumë paqartësi lidhur me rrethanat e vrasjes së të shoqit në fshatin Tongo Tongo në jugperëndim të Nigerit:
“Përse u deshën 48 orë për të gjetur trupin e tim shoqi? Përse nuk mund ta shihja trupin? Nuk e di çfarë kishte në arkivol. Mund të ishte ndoshta bosh”.
Edhe disa ligjvënës kanë ngritur pyetje lidhur me rrethanat e vrasjes së katër ushtarëve amerikanë dhe për procesin e gjatë për të ndriçuar ngjarjen. Shefi i Shtatmadhorisë tha dje se hetimet vazhdojnë:
“Ne përpiqemi ta bëjmë këtë sa më shpejt, por edhe sa më saktë. Preferojmë t’i kushtojmë më shumë rëndësi saktësisë”.
Shefi i Shtatmadhorisë, Joseph Dunford, tha se një grup i përbërë nga 12 forca speciale amerikane dhe 30 trupa të ushtrisë së Nigerit ranë në një pritë nga ekstremistët, kur po ktheheshin nga një mision zbulimi dhe nuk prisnin të kishin kontakt me forca armike.
“Gjatë shkëmbimit të zjarrit, dy ushtarë amerikanë u plagosën dhe u evakuuan nga forcat ajrore franceze. Ky operacion u zhvillua në përputhje me planet për reagim në një situatë të tillë gjatë këtij misioni. Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe trupat e tyre u evakuuan në mbrëmjen e 4 tetorit. Në atë moment rreshteri Johnson ende figuronte i zhdukur. Më 6 tetor trupi i tij u gjet dhe u evakuua,” thotë Shefi i Shtatmadhorisë, Joseph Dunford.
Gjenerali Dunford thotë se trupat amerikane, franceze dhe ato vendase ishin në atë zonë gjatë gjithë kohës deri kur u gjend trupi i rreshterit Johnson, duke iu kundërvënë aludimeve se rreshteri mund të jetë braktisur gjatë konfliktit. Gjenerali tha se hetimet vazhdojnë për të zbuluar përse La David Johnson ishte shkëputur nga pjesa tjetër e ekipit, si dhe detaje të tjera të incidentit.
Shefi i Shtatmadhorisë iu përgjigj edhe kritikave nga ligjvënës të të dyja partive në adresë të Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë për mungesën e informatave lidhur me incidentin:
“Nëse Kongresi mendon se nuk po merr informacion të mjaftueshëm, atëherë më takon mua të dyfishoj përpjekjet për t’i informuar”.
Asnjë organizatë nuk ka marrë përgjegjësinë për pritën në Niger, pranë kufirit me Malin, por zyrtarët amerikanë thonë se sulmi nga një grup i pajisur me armë të lehta dhe granata-hedhëse duhet të jetë kryer nga një organizatë lokale që ka lidhje me Shtetin Islamik.


















