Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka thënë se është “shumë i shqetësuar” për luftimet pranë uzinës bërthamore të Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.
Ai këto komente i bëri gjatë një samiti me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe liderin turk Rexhep Tajip Erdogan në Lviv, raporton BBC.
“Çdo dëm i mundshëm në Zaporizhzhia është vetëvrasje”, paralajmëroi Guterres.
Takimi ishte i pari midis shefit të OKB-së dhe Zelenskit që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt.
Erdogan i bëri jehonë shqetësimeve të shefit të OKB-së, duke u thënë gazetarëve se ai ishte i shqetësuar për rrezikun e “një tjetër katastrofe të Çernobilit” që shpërtheu në termocentral.
Javët e fundit zona përreth objektit, të cilin Rusia e kapi në mars, është vënë nën zjarr të rëndë artilerie, ku si Kievi dhe Moska fajësojnë njëri-tjetrin për sulmet.
Përpara takimit të së enjtes, Zelensky kritikoi sulmet si “të qëllimshme” në termocentralin.
Moska akuzohet se e ka kthyer objektin në një bazë ushtarake, me të tre liderët që u kanë kërkuar rusëve të çmilitarizojnë zonën sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërkohë, burime lokale në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia raportuan për një numër shpërthimesh të mëdha pranë aeroportit ushtarak Belbek.
Mikhail Razvozhayev, guvernatori rus i Sevastopolit, mohoi se dikush ishte plagosur nga shpërthimet dhe tha se nuk kishte dëme, pavarësisht videove që qarkulluan në mediat sociale që shfaqnin shpërthime të mëdha që ndriçonin qiellin.