Shefi i NATO-s në Presidencë, takohet me Osmanin

E publikuar: 20/11/2023 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Ekonomia Online. Më pas ai do të takohet edhe me kryeministrin, Albin Kurti. Të hënën shefi i NATO-s do nisi turin treditor në Ballkan. Fillimisht ishte në Bosnje e Hercegovinë. Kurse të martën Stoltenberg do jetë në Serbi ku e pret në bisedime presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë ku do të prezantohet edhe teknologjia me e re e zhvilluar nga NATO në funksion të paqes dhe sigurisë.

Në Maqedoninë e Veriu pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi.

I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven.

Vizita e Jens Stoltenberg vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, e veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes terroriste në Banjskë. Po aq në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.