Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuele Giaufret, ka thënë sot se po punojnë ditë e natë për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri të Kosovës, për të hequr barrikadat në mënyrë paqësore dhe për të kthyer përfaqësuesit e serbëve në institucione, si dhe për të garantuar respektimin e obligimeve të marra në dialog.
“Ne po punojmë ditë e natë për të gjetur një zgjidhje për krizën e terrenit dhe kushtet për heqjen paqësore të barrikadave, që serbët të kthehen në institucione, ku ata kanë një rol të rëndësishëm. Duhet të kthehemi në agjendën e dialogut, sepse kjo është mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje dhe për t’iu përgjigjur problemeve të qytetarëve”, tha Giaufret.
Ambasadori theksoi se dëshiron të jetë i qartë se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen shpejt, përfshirë Asociacionin.
“Të gjitha angazhimet e marra në dialog duhet të përmbushen, BE-ja do të vazhdojë të punojë në atë drejtim,” u tha gazetarëve Ambasadori Emanuele Giaufret në Qendrën Informative të BE-së, ku Qendra për Politikat Evropiane dhe Delegacioni i BE-së në Serbi organizuan takimin “Nga Republika Çeke në Suedi: Për një Evropë uniforme strategjike”.
Me këtë rast ai tha se Suedia nga 1 janari merr presidencën gjashtëmujore të BE-së, e cila i sjell energji të re procesit.