Shtetet e Bashkuara thanë më 31 tetor, se kanë informacione se afër 8.000 ushtarë të Koresë së Veriut tani janë në rajonin rus të Kurskut, afër kufirit me Ukrainën, dhe Rusia “synon” që t’i dislokojë ata në fushëbetejë kundër forcave ukrainase.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja pret që trupat të dërgohen në vijën e frontit në ditët në vijim. Ai përsëriti se ata do të bëhen “caqe legjitime ushtarake” nëse dislokohen.
Dislokimi ishte në krye të agjendës teksa Blinken dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u takuan me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Tae-yul, dhe atë të Mbrojtjes, Kim Yong-hyun.
Rusia ka trajtuar trupat e Koresë së Veriut për përdorimin e artilerisë, dronëve dhe për operacione bazike të këmbësorisë, “duke lënë të kuptohet se ajo synon që t’i përdorë këto forca në operacionet në vijën e frontit”, tha Blinken.
“Një nga arsyet që Rusia po përdor trupat e Koresë së Veriut është sepse është e dëshpëruar. [Presidenti rus, Vladimir] Putin gjithnjë e më shumë po dërgon gjithnjë e më shumë rusë në luftën vrastare në Ukrainë”, tha Blinken.
Tani, Blinken tha se Putini po kthen sytë nga trupat koreanoveriore “dhe ky është sinjal i qartë i dobësisë”.
Ai shtoi se Rusia po pëson afër 1.200 viktima në ditë në lindje të Ukrainës, më shumë që kur ka nisur lufta më 2022.
Austin e quajti dislokimin e trupave të Koresë së Veriut dhe testimin e një rakete balistike ndërkontinentale nga Pheniani më herët gjatë 31 tetorit si “zhvillime të pamatura”.
Më herët gjatë ditës, Koreja e Veriut tha se ka testuar një nga raketat e saj më të reja dhe më të fuqishme për të forcuar parandalimin e saj bërthamor.
Pas këtij testimi, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar testimin dhe duke thënë se paraqet “shkelje flagrante” të një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndryshe, dislokimi i trupave të Koresë së Veriut në Rusi ka rritur shqetësimet për destabilizimin e mëtejmë të rajonit të Azi-Paqësorit dhe të luftës së Moskës kundër Ukrainës. Koreja e Jugut ka ngritur dyshimet nëse teknologjia e re ushtarake e Koresë së Veriut mund të jetë ofruar nga Rusia në këmbim të furnizimit të Moskës me ushtarë.
Rusia ka zhvendosur disa burime në rajonin kufitar të Kurskut për t’iu përgjigjur ofensivës tokësore që Ukraina nisi në gusht dhe forcat e Moskës po përballen me vështirësi që të zmbrapsin trupat ukrainase.
SHBA-ja ka vlerësuar se aktualisht janë afër 10.000 trupa të Koresë së Veriut në rusi. Seuli dhe aleatët e tij kanë vlerësuar se numri është rritur në 11.000, ndërkaq Ukraina ka thënë se ky numër është më i lartë, 12.000.
As Moska, e as Pheniani nuk e kanë pranuar drejtpërdrejt dislokimin e trupave. /REL