ShBA-të: Ne kemi kërkuar shtyrje të vendimit, pikë – jo shkallëzim, jo faza

E publikuar: 31/10/2022 22:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Amerika nuk ka kërkuar shkallëzim të vendimit për targa, por ia ka bërë të qartë Qeverisë së Kosovës se dëshiron shtyrje të plotë të zbatimit të vendimit, prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera me veprimet e ndërmarra, ka thënë Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, në një konferencë për media.

“Ne kemi lëshuar një deklaratë javën e kaluar për të bërë shumë të qartë bindjen tonë dhe bindjen e partnerëve tonë ndërkombëtarë se Qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë zbatimin e vendimit, pikë”, deklaroi Price.

Kërkesat për kryeministrin Albin Kurti, nuk janë bërë vetëm publikisht, por edhe në kanale të tjera, shtoi zëdhënësi amerikan.

“Ne kemi qenë të qartë publikisht dhe privatisht se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-të, kërkon shtyrje të plotë të zbatimit të vendimit. Nuk kemi dashur shtyrje të pjesshme, nuk kemi kërkuar zbatim në faza, komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga qeveria e Kosovës shtyrje të plotë”, pohoi para gazetarëve Price.

Amerikani e ka bërë të qartë edhe një herë se e kupton që Kosova është në të drejtën e saj ta implementojë vendimin, por ka ritheksuar se kërkesa e partnerëve ishte tjetër, në këtë moment.

“Kosova ka të drejtë natyrisht ta zbatojë këtë vendim nën marrëveshjen e Brukselit, por ne jemi të dëshpëruar, të shqetësuar që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve të vetë të afërt ndërkombëtarë”.

Megjithatë, sipas Price, jo gjithçka ka përfunduar.

“Diskutimet po vazhdojnë, prandaj nuk do të shtoj diçka më shumë”, deklaroi ai.

Në mbledhjen e mbajtur nga Qeveria e Kosovës më 28 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur ta zbusë vendimin për targat ilegale dhe makinat që bartin ato, tash e tuje nuk do të konfiskohen, por do të qortohen e gjobitën.

Më pas Kurti ka paraparë një masë të re, ku do të përdoren targa provuese dhe kjo do të vazhdojë deri me 21 prill.

Albin Kurti në mbledhje te Qeverise
Pas 21 prillit do të vendoset që të shkohet me targa RKS.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit/gjobës deri me 21 janar. Dhe më pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklarimin e Kurtit në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri ka thënë se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Ai tha se kështu, duke e shkallëzuar vendimin “ne po tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin, por në të njëjtën kohë t’iu japim shans atyre që duan të integrohen”.

Përmes një reagimi për media Bashkimi Evropian kanë njoftuar se Kosova ka të drejtë t’i heqë gradualisht targat ilegale KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative.

“Vendimi nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët”, thuhet në reagim.

“Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujorë për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”.

Pse ishte problematike kjo shtyrje?

Fillimisht sepse Kosova ka të drejtë të vendos reciprocitet në targa dhe këtë të drejtë e ka fituar në vitin 2011 në marrëveshjen e parë për lëvizje të lirë dhe më pas edhe në vitin 2016.

Gjithsesi, për shkak të momentit, mundësisë për destabilizim ndërkombëtarët filluan presionin ndaj Kuritt që ta shtyjë vendimin.

Problem tjetër është se Kurti në diskursin e tij politik, gjithmonë ka thënë se nuk ekziston presioni ndërkombëtar.

Dikur në opozitë, ai deklaronte se qytetarët nuk duhet ta hanë këtë shpjegim se qeveria merr vendime nga presioni ndërkombëtar.

“Mendoj se tepër kollaj po e blejmë këtë që paska pasur presion dhe s’paskan pasur faj që e kanë pranuar”, thotë ai në një intervistë të vitit 2012.

Kurti madje çuditje, “po si bëhet që këtë presion nuk e ka Serbia po Kosova”, pyeste.

Më pas shtonte se presioni që vjen nga ndërkombëtarët është presion për politikanë e jo për qytetarët.

“Dhe e dyta që mbase është më e rëndësishme si duket konkretisht, sepse është e qartë që ky presion nuk është ndaj popullit të Kosovës, është ndaj këtyre politikanëve për të cilët duket se ndërkombëtarët dinë shumë më tepër gjëra se sa vetë populli”, pohonte Kurti duke aluduar në faktin se ata janë të korruptuar dhe rrjedhimisht shantazhohen.

“Si duket ai presion ndërkombëtar, cila është përmbajtja konkrete e këtij presioni, çfarë iu thonë saktësisht këta diplomatë që bëjnë presion në politikanët e Kosovës?”.

Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat provuese, dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa.

Nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë akoma makina me tagat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro. /Albanianpost.com