Pas dy dekadash punë, shkencëtarët dhe inxhinierët e Stanfordit në Laboratorin Kombëtar SLAC të Departamentit të Energjisë, SHBA, po festojnë përfundimin e kamerës dixhitale më të madhe të ndërtuar ndonjëherë.
Shkencëtarët e SLAC thonë se kamera e Trashëgimisë së Hapësirës dhe Kohës (LSST) ka përafërsisht madhësinë e një veture dhe peshon rreth 3 ton.
Lentja e përparme e saj vlerësohet të jetë afro 1 metër e gjerë dhe është lentja më e madhe e krijuar ndonjëherë.
Sipas shkencëtarëve, rezolucioni i kamerës është aq i lartë sa do të duheshin qindra televizorë me rezolucion të lartë për të shfaqur vetëm një nga imazhet e saj në madhësinë e plotë.
‘Imazhet e saj janë aq të detajuara sa mund të kap një top golfi nga 24 kilometra larg, ndërsa mbulon një pjesë të qiellit shtatë herë më të gjerë se hëna e plotë’, tha profesori Aaron Roodman.
‘Këto imazhe do të ndihmojnë në zbulimin e sekreteve të universit’, shtoi Roodman.
Ndryshe, kamera 3,200 megapikselë do të ndihmojë studiuesit të vëzhgojnë universin me detaje.
Bëhet e ditur se gjatë 10 viteve të ardhshme ajo pritet të gjenerojë një sasi të madhe të dhënash, kryesisht drejt një kuptimi më të mirë të materies së errët.
Gjithashtu, kamera do të ndihmojë edhe në të kuptuarit e Rrugës së Qumështit.
Duke lënë mënjanë madhësinë e saj, LSST do të eksplorojë edhe ‘objektet e vogla’ në sistemin tonë diellor.
Kjo mund të na dërgojë në njohuri të reja se si u formua sistemi ynë diellor dhe ndoshta të ndihmojë në identifikimin e kërcënimeve nga asteroidët.
‘Me ndërtimin e kamerës unike LSST dhe integrimin e saj në pjesën tjetër të sistemeve të Observatorit Rubin në Kili, së shpejti do të fillojmë prodhimin e filmit më të madh të të gjitha kohërave dhe hartën më informuese të qiellit të natës’, tha Zeljko Ivezic, drejtor i Observatorit Rubin.