Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një aeroplan të përdorur nga Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro.
Autoritetet amerikane e kanë dërguar avionin nga Republika Domenikane në Florida, pasi kanë përcaktuar se blerja e tij shkelte sanksionet e Shteteve të Bashkuara, tha të hënën Departamenti i Drejtësisë.
Sekuestrimi i avionit erdhi ndërsa është rritur trysnia mbi Presidentin Maduro, si brenda ashtu edhe jashtë vendit lidhur me zgjedhjet e 28 korrikut, që ai pretendom se i ka fituar. Por opozita në Venezuelë thotë se zgjedhjet u fituan nga kandidati i saj. Presidenti Maduro, bashkëpunëtorët e tij dhe sektori i naftës në shtetin anëtar të OPEC-ut janë nën sanksione amerikane. Mënyra se si i trajtoi ai zgjedhjet ka rritur mundësitë se mund të vendosen masa të mëtejshme.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland tha në një deklaratë se avioni i tipit ‘Dassault Falcon 900EX’ u ble në mënyrë të paligjshme për 13 milionë dollarë, përmes një kompanie guaskë dhe u nxor kontrabandë nga territori amerikan “për përdorim nga Nicolás Maduro dhe miqtë e tij”.
“Ky sekuestrim të dërgojë një mesazh të qartë: avionët e blerë ilegalisht nga Shtetet e Bashkuara për të mirën e zyrtarëve të sanksionuar venezuelas, nuk mund të përdoren.” – tha Matthew Axelrod, Ndihmës Sekretari amerikan i Departamentit të Tregtisë për Zbatimin e Eksportit.