Shtetet e Bashkuara kanë dorëzuar një ankesë zyrtare ndaj Moskës, për shkak të “ndërhyrjes” së një avioni luftarak rus ndaj një avioni zbulimi amerikan në një mënyrë “të pasigurt dhe aspak profesioniste”, ngjarje kjo që duket se ka ndodhur më herët gjatë kësaj jave.
Incidenti mësohet të ketë ndodhur të martën, kur një avion amerikan “RC-135U” ishte duke fluturuar mbi detin Baltik, kur u konfrontua me një avion luftarak rus “SU-27”, zakonisht i përdorur për të përforcuar ‘krahët’ gjatë një sulmi. Pentagoni ka njoftuar se incidenti ka ndodhur në hapësirën ajrore ndërkombëtare, në veri të Polonisë.
Ekuipazhi amerikan i avionit ka bërë të ditur se veprimet e pilotëve rusë ishin “të pasigurta dhe aspak profesioniste, për shkak të agresivitetit të manovrimit që performuan në ajër, shumë pranë me avionin e tyre dhe me një shpejtësi të madhe reagimi”, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Mark Wright.
Agjencia shtetërore e lajmeve Sputnik raportoi se avioni amerikan ishte duke fluturuar drejt kufirit rus, ndërkohë që transmetuesin e tij e kishte të fikur, siç deklaroi zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Gjeneral-Major Igor Konashenkov. Sipas tij, avioni rus fluturoi menjëherë drejt avionit amerikan dhe në disa raste u përpoq ta identifikonte atë për t’i marrë edhe kodin në pjesën e pasme të tij.
Një zyrtar i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara, USEC, tha se pretendimi për transmetuesin e fikur ishte fals. Wright tha se Pentagoni dhe Departamenti amerikan i Shtetit do të “dorëzojnë ankesën e nevojshme përmes kanaleve diplomatike”, për të sqaruar këtë çështje me Rusinë.
Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara janë ankuar në lidhje me incidente të ngjashme që kanë përfshirë të njëjtët tipa avionësh, ashtu sikurse ndodhi edhe një vit më parë mbi detin Okhotsk në Paqësorin perëndimor, ngjarje të cilën zyrtarët amerikanë e quajtën si “një prej më të rrezikshmëve ndër dekada”.
Pentagoni njofton se ka dorëzuar ankesën drejt ushtrisë ruse për këtë incident. Përplasje të tilla mes avionëve të Forcave Ajrore amerikane dhe ruse kanë ndodhur shpesh së fundi, qoftë në Europën Veriore, ashtu dhe në hapësirën midis pjesës më lindore të Federatës Ruse dhe Alaskës. / TCh/