Pentagonit i janë dhënë 180 ditë afat për të treguar gjithçka di për UFO-t nga qeveria e SHBA.
Ligji prej 5,593-faqesh i paketës së ndihmës financiare për COVID-19 i nënshkruar së fundmi nga presidenti Donald Trump, përmbante gjithashtu edhe çështje të palidhura me pandeminë, zbulohet nga mediat amerikane.
Mes tyre ishte një ultimatum sensacional ndaj Pentagonit dhe agjencive të tjera të inteligjencës, që brenda 180-ditëve të tregojnë gjithçka dinë për objektet e paidentifikuara fluturuese, ose mjetet aliene të njohura dhe si UFO.
Masa nuk ishte përfshirë në tekstin e ligjit por e listuar si “koment i komisionit,” i atashuar me ligjin e përvitshëm të autorizimit të inteligjencës.
Komisioni i inteligjencës në Senat, i drejtuar nga republikani Marco Rubio thoshte në koment se “urdhëron kreun e inteligjencës në konsultim me sekretarin e mbrojtjes dhe krerët e agjencive të tjera të ngjashme, që brenda 180 ditëve të dorëzojnë raportin e plotë të inteligjencës dhe forcave të armatosura për fenomenet e paidentifikuara ajrore.”
Masa kërkon agjencitë të japin “analizë të detajuar të të dhënave mbi fenomene të paidentifikuara si inteligjencë gjeo-hapësinore, sinjale të paidentifikuara inteligjence, inteligjencë njerëzore apo matje të sinjaleve të inteligjencës”.
Dokumenti kërkon nga FBI një “analizë të detajuar nga të fenomeneve të paidentifikuara ajrore në hapësirën ajrore të SHBA … dhe vlerësimet nëse këto fenomeneve mund t’i atribuohen një ose më shumë kundërshtarëve të huaj”.
Zëdhënësja e departamentit të mbrojtjes Sue Gough, konfirmoi kërkesën për të përditshmen New York Post.
“Jemi në dijeni se komisioni i inteligjencës në Senat ka kërkuar një raport mbi fenomenet e paidentifikuara ajrore brenda 180 ditëve,” tha Gough.
Nick Pope, ish-drejtor i zyrës për “UFO-t” në ministrinë britanike të mbrojtjes tha: “Është një lëvizje e mirëpritur që tregon se fenomeni po merret seriozisht nga komuniteti i inteligjencës. Tashmë besoj se grupi i Fenomeneve të Paidentifikuara Ajrore në Pentagon kanë nisur hartimin e raportit për komisionin e Senatit.”/tch