SHBA-ja vendos sanksione ndaj Bjellorusisë pas nisjes së gjyqit ndaj lideres opozitare

E publikuar: 17/01/2023 16:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara njoftuan për kufizime të vizave ndaj 25 personave në Bjellorusi, në përgjigje të nisjes së gjykimit në mungesë të lideres së opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, dhe aktivistëve të tjerë pro-demokracisë.

Ky vendim vjen pasi Tikhanovskaya, e cila shpalli fitoren ndaj liderit autoritar Alyaksandr Lukashenka në zgjedhjet e vitit 2020, po përballet me gjyq nën akuza për tradhti të lartë, “konspiracion për marrjen e pushtetit” dhe krijimin dhe udhëheqjen e një organizate terroriste.

“Këto gjykime të motivuara politikisht janë shembulli i fundit i përpjekjeve të regjimit të Lukashenkës për të frikësuar dhe shtypur ata që kërkojnë drejtësi, respektim të të drejtave të njeriut dhe një Bjellorusi demokratike”, tha përmes një deklarate për media sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në mesin e të sanksionuarve janë edhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare të cilët miratuan ligjin që autorizon dënimin me vdekje për personat që janë gjetur fajtorë për “akte të terrorizmit”.

SHBA-ja tha se kjo akuzë po përdoret për të shtypur anëtarët e opozitës dhe aktivistët e shoqërisë civile.

Lukashenka, aleat i presidenti rus Vladimir Putin, ka udhëhequr me këtë shtet të ish-Bashkimit Sovjetik që nga viti 1994. Ai për vite me radhë ka qenë subjekt i sanksioneve amerikane.

Në mars të vitit të kaluar, SHBA-ja vendosi sanksione ekonomike ndaj Lukashenkës për shkak të korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Në Bjellorusi, edhe disa aleatë të Tikhonovskayas po gjykohen në mungesë.

Me vendimin e së martës, SHBA-ja deri më tani ka vendosur kufizime të vizave ndaj 322 personave që sipas Uashingtonit minojnë demokracinë në Bjellorusi.