Shtetet e Bashkuara përdorën veto të mërkurën ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do t’i kishte dënuar sulmet e Hamasit kundër Izraelit dhe të gjithë dhunën kundër civilëve.
Rezoluta, e thirrur nga Brazili, do të bënte thirrje për ndihma urgjente humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës, po ashtu.
Rezoluta i mori 12 vota në favor në Këshillin e Sigurimit 15-anëtarësh, dy abstenime dhe kundërshtimin e SHBA-së.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha pasi e përdori veton se presidenti amerikan Joe Biden e vizitoi rajonin të mërkurën për t’u angazhuar në diplomaci dhe “ne kemi nevojë që diplomacia të zhvillohet këtu”.
Ajo, po ashtu, e kritikoi rezolutën se nuk e përmendi të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur.
Rezoluta u mbështet nga Rusia dhe Kina, të cilat e kritikuan SHBA-në për kundërshtimin e saj.
Gjatë një vizite në Tel Aviv të mërkurën, presidenti amerikan Joe Biden tha se Izraeli është pajtuar t’i lejojë ndihmat humanitare në Rripin e rrethuar të Gazës.
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën nuk do ta pengojë futjen e ndihmave humanitare në Gazë përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin, Rafah. /REL