SHBA-ja u bën thirrje aleatëve të NATO-s të dënojnë publikisht Iranin

E publikuar: 27/06/2019 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, u bëri thirrje aleatëve të NATO-s, të dënojnë publikisht veprimet armiqësore të Iranit dhe të shqyrtojnë pjesëmarrjen në një plan, që është ende në përpilim, për të mbrojtur më mirë rrugët ujore strategjike në afërsi të Iranit.

“Ne nuk kërkojmë konflikt të armatosur me Iranin, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë forcat dhe interesat e SHBA-së në rajon. Askush nuk duhet ta ngatërrojë pëmbajtjen si dobësi”, u tha Esper gazetarëve, pas diskutimeve me dyer të mbyllura në selinë e NATO-s në Bruksel.

Takimi i nivelit të lartë të NATO-s mbahet në kohën e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit, që kanë rritur frikën për mundësinë e një konflikti të armatosur në rajon.

Sulmet e fundit mbi cisternat e naftës në Gjirin e Omanit, dhe në afërsi të Ngushticës së Hormuzit, e kanë përkeqësuar po ashtu situatën. Uashingtoni e fajëson Iranin për këto incidente, ndërsa Teherani mohon çdo përfshirje.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s zhvilluan bisedime lidhur me disa çështje të sigurisë, përfshirë Rusinë dhe Iranin.

NATO-ja i ka kërkuar Rusisë që të shkatërrojë sistemin e saj raketor përpara afatit në muajin gusht, dhe të ruaj traktatin që mundëson mbajtjen e kokave bërthamore jashtë Evropës.

NATO-ja tha se në të kundërten, Rusia do të përballet me një përgjigje më të vendosur të aleancës.