SHBA-ja i reagon Serbisë pasi nderoi ish-kryexhandarin e sanksionuar nga Uashingtoni për vrasjen e vëllezërve Bytyçi

E publikuar: 03/07/2021 12:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada Amerikane në Serbi ka reaguar pas nderimit që iu bë Goran Radosavljeviq, i cili ishte i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Përmes një postimi në Twitter, Ambasada Amerikane shkruan se Radosavljeviq duhet të përballet me drejtësinë dhe jo të nderohet me stemë.

“Ky ishte gjithashtu njeriu i ngarkuar në kampin ku u gjetën eshtrat e tre amerikanëve të vrarë më 1999: Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi. Radosavljeviqi ishte sanksionuar nga ShBA-ja për përfshirjen e tij të besueshme në vrasjen e tyre. Ai duhet të përballet me drejtësinë, jo të marrë nderime”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane në Beograd.

Reagimi vjen pasi njësia e forcave speciale e njohur si Xhandarmëria, nderoi ish-komandantin Goran Radosavljevic, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e tre shtetasve amerikanë që shkuan në Kosovë për të luftuar së bashku me rebelët shqiptarë etnikë kundër sundimit të Beogradit.