SHBA-ja e Gjermania dënojnë frikësimin e pjesëtarëve të pakicave të FSK-së

E publikuar: 31/10/2018 21:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, dënoi të mërkurën kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë nga radhët e pakicës serbe dhe pakicave tjera.

Në një postim në rrjetin social Twitter, ajo shkroi se “kërcënimet dhe frikësimet e vazhdueshme të serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera në Forcën e Sigurisë së Kosovës dëmtojnë të gjithë. Forca e Sigurisë është një model për vendin dhe përpjekja e saj për të qenë gjithëpërfshirëse duhet të përgëzohet e jo të dëmtohet”, raporton VOA.

Duke i bërë jehonë qëndrimit të diplomates amerikane, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, shkroi se “kjo dëshmon një gjë; integrimi në Forcën e Sigurisë së Kosovës është përmirësuar në atë masë sa që disa njerëz kanë ndjerë nevojën që të dëmtojnë këto përpjekje. Forca e Sigurisë e ka mbështetjen tonë të plotë që të dëshmojë punën shumetnike dhe jo frikësimet”, shkroi ai.

Më herët gjatë javës në oborrin e shtëpisë së një pjesëtari të Forcës së Sigurisë nga radhët e komunitetit boshnjak në veriun e Mitrovicës, ishte gjetur një mjet shpërthyes, i cili u largua nga forcat e rendit. Ndonëse nuk është thënë se cilat mund të jenë motivet dhe autorët e mundshëm të këtij incidenti, ai shihet si pjesë e trysnisë mbi pjesëtarët e pakicave që të braktisin Forcën e Sigurisë.

Më shumë se 70 pjesëtarë të komunitetit serb e kanë braktisur Forcën e Sigurisë për shkak të trysnive nga Beogradi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje publike pjesëtarëve të komunitetit serb që siç tha “të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse atë ushtri po e formojnë, për asgjë tjetër, por vetëm që ata serbë t’i shfrytëzojnë që një ditë të qëllojnë mbi serbët tjerë. U bëj thirrje serbëve që në asnjë mënyrë të mos i ndihmojnë në atë punë të pistë, me të cilën madje e shkelin edhe Kushtetutën e tyre, e cila për ne nuk ka ndonjë domethënie dhe të cilën ne nuk e pranojmë”, tha ai.

Më 18 tetor, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjet për zgjerimin e përgjegjësive të Forcës së Sigurisë, duke shmangur ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës, ndryshime që u pamundësuan për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe deputetëve serbë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

TË FUNDIT