Agjencitë e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara kishin konkluduar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar fushatën e sulmeve kibernetike për ta ndihmuar republikanin, Donald Trump, dhe për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Në një raport të ri të fshehtë, të publikuar mbrëmë nga Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, thuhet se përpjekjet synonin ta ndihmonin zotin Trump duke e diskredituar rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, ish-sekretare amerikane e shtetit.
“Ne vlerësojmë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar një fushatë ndikuese në vitin 2016 në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara”, theksohet në raportin prej 25 faqeve dhe shpjegohet se “qëllimet e Rusisë ishin për ta shkatërruar besimin publik në procesin demokratik të Shteteve të Bashkuara, për ta denigruar sekretaren Clinton, dhe për ta dëmtuar zgjedhshmërinë e saj dhe presidencën potenciale”.
“Ne mëtutje, vlerësojmë se Putini dhe qeveria ruse e kanë zhvilluar një preferencë të qartë për presidentin e zgjedhur Trump”, theksohet në raport dhe shtohet se “ne kemi besim të lartë në këto gjykime”.
Ky raport u publikua në periudhën e rritjes së alarmit në mesin e politikbërësve dhe ligjvënësve në Uashginton për fushën dhe qëllimin e depërtimeve kibernetike ruse gjatë fushatës zgjedhore amerikane, vitin e kaluar./rel/