SHBA i dhuron edhe 3 milionë dollarë Kosovës për luftën kundër Covid-19

E publikuar: 27/01/2022 18:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i kanë dhuruar edhe 3 milionë dollarë shtesë ndihmë urgjente për Kosovën, për luftimin e COVID-19.

Në njoftimin e USAID thuhet se kjo ndihmë do të mbështesë forcimin e mbrojtjes së fëmijëve të cenueshëm, që janë goditur nga pandemia dhe do të sigurojë vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve sociale themelore, përcjell infosot.

Kjo pako, gjithashtu, do të përmirësojë shërbimet në terren në kuadër të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor për të promovuar vaksinimin dhe digjitalizuar bazën e të dhënave mbi menaxhimin e rasteve të COVID-19.

“Ndihma financiare prej 3 milionë dollarë amerikanë i është shtuar aktivitetit Reagimi ndaj Pandemisë, i cili zbatohet përmes UNICEF-it dhe ndërton mbi ndihmën paraprake në vlerë prej 5.1 milionë dollarë amerikanë për COVID-19 që USAID-i zotoi për Kosovën gjatë pandemisë”, thuhet në njoftimin e USAID.