Washington, UNITED STATES: US President George W. Bush speaks during a joint press conference with British Prime Minister Tony Blair 07 December 2006 in the Eisenhower Executive Office Building in Washington, DC. Blair is meeting Bush for talks a day after a high-power commission called for a complete overhaul of US Iraq policy, including talks with Iran and Syria, and a withdrawal of most combat troops by early 2008. AFP PHOTO/Jim WATSON (Photo credit should read JIM WATSON/AFP/Getty Images)
Shtetet e Bashkuara e kanë shtyrë “shumë herët” Mbretërinë e Bashkuar në veprim ushtarak në Irak, tha ish-ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Jeremy Greenstock.
Komentet vijnë pas publikimit të raportit të ashtuquajtur Chilcot, i cili ka konstatuar se ish-kryeministri britanik, Tony Blair, ka ekzagjeruar kërcënimin e paraqitur nga Saddam Husseini dhe se veprimi ushtarak nuk ka qenë mjeti i fundit.
Greenstock, ambasador i Britanisë në OKB në vitin 2003, tha se Blair ka kërkuar rezolutë mbështetëse nga Kombet e Bashkuara, porse zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se ajo është humbje kohe.
Raporti Chilcot është publikuar të mërkurën dhe ka marrë shtatë vjet kohë për t’u hartuar.
John Chilcot, i cili ka udhëhequr hetimet e luftës britanike në Irak, ka konstatuar se Blair ka dërguar trupa të përgatitura keq për luftë dhe se ka pasur ide “krejtësisht të papërshtatshme” për pasojat.
Pushtimi i vitit 2003 nuk ka qenë “mjeti i fundit”, ka thënë Chilcot, për të shtuar se nuk ka pasur “kërcënim të menjëhershëm” nga Saddam Husseini.
Ish-ambasadori Greenstock tha se Blair ka dashur të presë më gjatë, para se të ndërmerrte veprime ushtarake.
“Në atë kohë, amerikanët na kanë shtyrë të shkojmë shumë herët në aksione ushtarake”, tha Greenstock për BBC-në.
Gjenerali Tim Cross, oficeri më i lartë britanik i përfshirë në planifikimin e luftës, tha se ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, nuk ka dëgjuar as OKB-në, as Britaninë e Madhe për pasojat e pushtimit.
Ai tha se SHBA ka shpërbërë ushtrinë e Irakut dhe partinë në pushtet Ba’ath pa u konsultuar.
Një zëdhënës i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, i cili ka urdhëruar pushtimin e Irakut në vitin 2003, ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se “pavarësisht dështimeve të inteligjencës dhe gabimeve të tjera, presidenti Bush vazhdon të besojë se e gjithë bota është më mirë pa Saddam Husseinin në pushtet”.
Vendimi për të shkuar në luftë ishte nxitur nga besimi se ish-udhëheqësi i Irakut, Saddam Hussein, ka stoqe të armëve të shkatërrimit në masë, të cilat mund të përdoren kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Vlerësimi i inteligjencës, më vonë, ka dalë të jetë i gabuar.
Ish-ambasadori i SHBA-së në OKB, John Bolton, ka shkruar në gazetën britanike The Telegraph se vendimi për të pushtuar Irakun ka qenë i justifikueshëm.
“Inteligjenca mund të nënvlerësojë dhe mbivlerësojë një kërcënim. Saddami ka gënjyer në lidhje me kapacitetet e tij. Sikur të qëndronte në pushtet, sot do të kishte stoqe edhe më të mëdha të armëve kimike”, ka thënë Bolton.
Pas publikimit të raportit Chilcot, Blair ka thënë se merr përgjegjësinë për “gabimet në planifikimin e procesit”, të identifikuara nga hetimet.
Blair ka thënë se ndjehet i pikëlluar për dhembjen e atyre që kanë humbur më të dashurit. Por, ai ka këmbëngulur se nuk e ka mashtruar askënd mbi pushtimin, se personeli ushtarak nuk ka vdekur më kot dhe se ai ka pasur të drejtë në atë që ka bërë, transmeton rel.
Të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit ka ripërtërirë paralajmërimin e udhëtimit në Irak. Paralajmërimi i ri u thotë shtetasve amerikanë se udhëtimi në Irak mbetet “shumë i rrezikshëm”.