Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzia, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina i kanë thënë Rusisë se nuk do të punojnë rreth propozimit rus për të vendosur paqeruajtës të OKB-së në lindje të Ukrainës, raporton agjencia ruse e lajmeve, TASS.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në fillim të këtij muaji sugjeroi vendosjen e paqeruajtësve të armatosur të OKB-së në lindje të Ukrainës për të ndihmuar në mbrojtjen e mbikëqyrësve të armëpushimit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) dhe të ndihmojnë në dhënien fund të konfliktit mes trupave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, i cili i ka vrarë më shumë se 10.000 persona që nga viti 2014, transmeton Express.
Putin pati thënë se paqeruajtësit duhet të vendosen përgjatë vijës së kontaktit ems forcave të qeverise ukrainase dhe separatistëve pro-rusë, por më pasi theksoi se ata mund po ashtu të vendosen në zona tjera ku inspektorët e OKB-së punojnë.
Megjithatë, Uashingtoni dhe Kievi duan që paqeruajtësit të vendosen përgjatë pjesëve të kufirit të Ukrainës me Rusinë, të cilat Kievi nuk i kontrollon.
Nebenzia është cituar nga TASS të ketë thënë se SHBA-ja dhe Ukraina i kanë thënë Rusisë se ato nuk janë të gatshme të punojnë në draft rezolutën e Moskës për këtë çështje për shkak se kanë shumë kundërshtime ndaj saj. /Express/