
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka miratuar sulme ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.
Sulmet janë në përgjigje të incidentit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kalaur në qytetin sirian, Duma.
“Një operacion i kombinuar me frcat e armatosura të Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar është tani në zhvillim e sipër”, tha Trump në fjalimin drejtuar kombit.
Agjencia Reuters raporton se shpërthimet janë dëgjuar pranë kryeqytetit të Sirisë, Damask.
“Sulmet janë urdhëruar mbi caqet e lidhura me kapacitetet e armëve kimike të Qeverisë siriane”, tha Trump.
Sipas tij, qëllim i sulmeve është “të krijohet një pengesë e fuqishme kundër prodhimit, përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike”.
“Këto nuk janë veprime të një njeriu; ato janë krime të një përbindëshi”, tha Trump për presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Qeveria siriane ka mohuar se ka kryer sulmin kimik, i cili besohet se ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë.
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e konfirmoi përfshirjen britanike në fushatën ushtarake ajrore, duke thënë se “nuk ka pasur asnjë alternativë praktike për përdorimin e forcës”.
Ajo po ashtu tha se sulmet nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit.
Rusia, aleate e Sirisë, paralajmëroi se sulmet e Perëndimit rrezikojnë të nisin luftën midis dy palëve.

















