Virusi vdekjeprurës, COVID-19, ka shumë të ngjarë të ketë origjinën nga një rrjedhje laboratorike, sipas një departamenti të qeverisë amerikane.
Studimi i kryer në emër të departamentit të energjisë në SHBA konsiderohet i besueshëm, pasi mbikëqyr një rrjet prej 17 laboratorësh që përfshijnë kërkime në biologjinë e avancuar.
FBI gjithashtu ka fajësuar një rrjedhje nga një laborator kinez për pandeminë.
Që në fillim ka pasur spekulime se COVID-19 u arratis nga Instituti i Virologjisë Wuhan në Kinë, i cili kishte mbledhur dhe manipuluar viruset e lakuriqëve të natës.
Katër agjenci të tjera në SHBA ende besojnë se pandemia ishte rezultat i transmetimit natyror dhe dy të tjera janë të pavendosura. Një nga agjencitë që mbetet e pavendosur është edhe CIA.
I pyetur në lidhje me raportin e fundit, Jake Sullivan, këshilltar për sigurinë kombëtare, pranoi se kishte një sërë pikëpamjesh të mbajtura nga komuniteti i inteligjencës amerikane mbi origjinën e pandemisë.
“Disa elementë të komunitetit të inteligjencës kanë arritur në përfundime nga njëra anë, disa nga ana tjetër, dhe një numër kanë thënë se thjesht nuk kanë informacion të mjaftueshëm për të qenë të sigurt”, tha ai.
Në vitin 2021, FBI tha se kishte “besim të moderuar” se pandemia ishte shkaktuar nga një rrjedhje aksidentale nga një laborator kinez. Agjencia ende e mban këtë pikëpamje.
Teori të tjera përqendroheshin në tregjet e ushqimit të lagësht në Wuhan dhe besimin se kafshët mund ta kishin kaluar virusin te njerëzit.