SHBA, BE dhe Britania e Madhe dënojnë kërcënimet dhe fyerjet e Metës ndaj kreut të SPAK: Sulmet apo intimidimet ndaj prokurorëve, s’kanë vend në demokraci

E publikuar: 17/04/2024 16:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërkombëtarët kanë dënuar kërcënimet dhe fyerjet që kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë ditët e fundit ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit.

Së fundmi ka patur edhe një reagim nga ana e ambasadës së Bashkimit Europian në Tiranë, ku theksohet se sulmet ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve, nuk kanë vend në një shtet demokratik. Gjithashtu, Bashkimi Europian mbështet deklaratën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke i cilësuar si të papranueshme akuzat e bëra ndaj Prokurorisë së Posaçme.

Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK.

BE qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për kërcënimet dhe fyerjet e rënda të Metës ndaj kreut të SPAK, pati reagime edhe nga ambasadat e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.
Ambasada amerikane dënoi sulmet e Metës ndaj SPAK duke theksuar qëndrimin e SHBA-ve krah institucioneve të reja të drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Po ashtu edhe ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith shprehu mbështetjen e Britanisë së Madhe ndaj institucioneve të drejtësisë së re./tch