Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, ka sqaruar rivotimin e sotëm të votimit të 30 gushtit të vitit 2018 të Komisionit të Parlamentit Evropian për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Liritë Qytetare (LIBE), i cili ka mbështetur ri-nisjen e negociatave teknike me Këshillin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën.
Arsyeja për përsëritjen e këtij votimi, sipas Shashës, është sepse tani më kemi legjislaturën e re të Parlamentit Evropian të dalë nga zgjedhjet e PE-së të majit 2019, dhe rrjedhimisht të gjitha procese që nuk kanë përfunduar në legjislaturën e kaluar duhet të përsëriten.
“Tani hapi i radhës do të jetë që rekomandimi i Komisionit LIBE për ri-nisjen e negociatave me Këshillin e BE-së të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian e cila pritet të mbahet me 9 tetor 2019 në Bruksel. Dhe pas atij votimi jemi prapë këtu ku kemi qenë deri më sot :), pasi që të gjithë po presim lëvizje të vendeve skeptike siç janë France dhe Holanda”, ka thënë Shasha në një postim në Facebook.
Rekomandimi i sotëm i LIBE-së, thotë Shasha, nuk duhet të shoqërohet me urime, por nuk duhet as nënvlerësuar, pasi, sipas tij, është e mirëseardhur të shohim që së paku në Parlamentin Evropian çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të gëzojë përkrahjen e eurodeputetëve.
“Herën kaluar rekomandimi është votuar me 30 vota pro, ndërsa sot rekomandimi u votua me 49 vota pro. Po ashtu, është për t’u përshëndetur fakti se Kosova dhe çështja e liberalizimit të vizave po gjen mbështetje në përbërjen e re të LIBE-s edhe tani kur Kryetari i ri i Komisionit LIBE vije nga Spanja, z. Juan Fernando López Aguilar”, ka theksuar ai.
Kujtojmë se sot, Komisioni LIBE ka votuar me 49 vota pro rinisjen e negociatave me Këshillin e BE-së për heqjen e vizave për kosovarët.

















