Shansi i përbashkët i anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE

E publikuar: 26/04/2018 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Bekim Ҫollaku
Me strukturën jashtëzakonisht komplekse të Këshillit të Evropës dhe me fuqinë që kanë në duart e tyre të gjitha shtetet anëtare për të vënë veton mbi vendimet e rëndësishme, nuk ka alternativë tjetër për zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor sesa BE të njoftojë se të gjashtë shtetet do të anëtarësohen së bashku – në pako – në kohën kur vendi me performancën më të dobët i plotëson kriteret e pranimit. Nëse asgjë tjetër, kjo ka potencialin për të sjellë bashkëpunim dhe integrim rajonal – bazuar në rregullat e BE-së – dhe për të normalizuar marrëdhëniet dypalëshe në rajon.

Sivjet, të gjithë ata që e ndjekin politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, kanë qenë mjaft të ngazëllyer me perspektivat e strategjisë së re të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe me presidencat e njëpasnjëshme të BE-së, të kryesuara nga dy vende miqësore ndaj zgjerimit (Bullgaria dhe Austria). Sidoqoftë, sapo institucionet në Bruksel zbutën qëndrimit paksa duke thënë hapur në strategji se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor gëzon një perspektivë për në BE (diçka që ishte thënë për gati 20 vjet, por që rrallë është përmendur qartë), reagimet e ashpra brenda BE-së dolën në sipërfaqe.

Pas një muaji, presidenca bullgare do të jetë nikoqire i Samitit të parë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Është hera e parë që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimir dhe të gjithë anëtarët e 28-shes së BE-së do të jenë në një tryezë së bashku. Kjo përbën një mundësi të artë për ta shtyrë përpara në mënyrë të konsiderueshem agjendën e zgjerimit. Mjerish, frika e nxitur nga shqetësimet e politikave të brendshme ka shtyrë disa shtete anëtare për ta kufizuar nivelin, fushëveprimin dhe profilin e kësaj ngjarjeje, duke e kufizuar kështu potencialin e saj për të sjellë reforma reale në rajon dhe fuqinë e simbolizmit. Ka edhe raporte sipas të cilave 28 krerët e shteteve dhe qeverive mund të mos shfaqen deri në ngjarjen kryesore.

E vetmja përgjigje adekuate ndaj reagimeve të ashpra është që të vazhdojmë përpara me vendosmëri edhe më të madhe. Është e qartë se institucionet e BE-së do të dëshironin ta zgjeronin BE-në edhe më tej. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po e shtyjnë në mënyrë aktive çdo shtet të Ballkanit Perëndimor më pranë BE-së, në masën që është në fuqinë e tyre. Megjithatë, në mesin e shteteve anëtare ka disa që nuk kanë shumë oreks për BE-në në përgjithësi dhe sigurisht nuk kanë as për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Siç treguan rezultatet e referendumit për Brexit-in, shkalla e oreksit jo domosdoshmërisht korrespondon me përfitimet që qytetarët i përjetojnë nga BE-ja apo nga zgjerimi i saj.

Por, aktualisht nuk ka asnjë arsye për të ushtruar vetëcensurim. Axhenda në Evropë nuk është e dominuar nga zgjedhjet në shtetet kryesore anëtare të BE-së apo në Parlamentin Evropian. Komisioni aktual është në fund të mandatit të tij. Tani është koha për të ndjekë zgjerimin fuqishëm, ndërsa adoptimi i strategjisë paraqet një dëshmi për këtë.

BE-ja duhet të thjeshtojë dhe të sqarojë komunikimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Aktualisht, komunikimi është produkt i një numri të madh të forumeve dhe formacioneve dhe zakonisht i shoqëruar nga një numër i informatave dhe deklaratave hezituese. Në të vërtetë, nuk është në interesin e askujt që të mbetet konfuz në komunikim me qëllim që, nga njëra anë, t’i qetësojë shtetet kandidate dhe ato potenciale kandidate, ndërsa nga ana tjetër t’i qetësojë skeptikët e BE-së që ata nuk duhet të shqetësohen për zgjerimin e mëtejshëm në juglindje. Rezultati nënkupton thjesht konfuzion, duke larguar kështu qytetarët e BE-së nga projekti i BE-së dhe duke frustruar Ballkanin Perëndimor. Kjo situatë me kënaqësi shfrytëzohet edhe nga një varg i gjatë i elementeve të gatshëm për të ushtruar ndikimin e tyre mbi këtë rajon.

Qasja e kujdesshme aktuale askujt nuk po i sjellë përfitime. Konfuzioni nuk është nje mesazh i fuqishëm politik dhe nuk do të sjellë asnjë nga ndryshimet për të cilat Ballkani Perëndimor dhe BE-ja kanë nevojë. Në të vërtetë, asnjëra nga palët – BE-ja apo Ballkani Perëndimor – nuk kanë asnjë alternativë ndaj anëtarësimit eventual të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Rajoni është i rrethuar nga BE-ja. Secili nga shtetet e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor është në favor të anëtarësimit dhe kur ato përfundimisht t’i kenë përmbushur kriteret e Kopenhagës, do të jetë shumë e vështirë për BE-në që ta justifikojë veton.

Pasi që ky nocion i pashmangshmërisë së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor të jetë pranuar dhe internalizuar në BE dhe në të gjitha shtetet anëtare, do të bëhet shumë e qartë se çdo zvarritje e mëtejshme është kundërproduktive. Siç kanë dëshmuar zgjerimet e mëparshme, vendimi politik është forca lëvizëse për kohën e anëtarësimit. Në fund të fundit, BE-ja është një organizatë politike dhe merr vendime të bazuara në konsiderata politike. Sikurse edhe në zgjerimin e vitit 2004, ajo që ka më shumë kuptim është që të ofrohen të njëjta perspektiva dhe afate kohore për anëtarësim për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nuk mund të ketë një stimulim më të fortë për të kapërcyer mosmarrëveshjet rajonale dhe për të normalizuar marrëdhëniet se sa që rajoni të marrë një mesazh të qartë se gjashtë vendet do të anëtarësohen në të njëjtën kohë dhe vetëm në kohën kur performuesi me i dobët i plotëson kriteret. Bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik rajonal do të bëheshin një prioritet i vërtetë rajonal dhe bllokimet dypalëshe do të hiqeshin me shpejtësi.

Një qasje e tillë do të mund të bënte që menjëherë të merrej vendim që të gjashtë shtetet të bëheshin kandidate për anëtarësim dhe të hapeshin negociatat me të gjashtat, duke nënkuptuar se do të mund të kishte më shumë kritere fillestare në secilin kapitull. Një qasje e përbashkët për të gjashtë vendet do të sillte potencialin për të ndryshuar rrëfimin rreth pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo qasje do të nënkuptonte përqendrim më të vogël ndaj kërcënimit që sjellë jo-zgjerimi dhe për t’u përqendruar më shumë në mundësinë e anëtarësimin të rajonit – zgjerimin e tregut të vëtëm evropian dhe përhapjes më të mirë të vlerave evropiane në botë.

Autori është ish Ministër i Integrimit Evropian dhe aktualisht Shef i Stafit i Presidentit të Kosovës