Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se liderët e shtetit “po tallen me qytetarët” kur po flasin për tema të caktuara.
Ai ka komentuar interpelancën e kryeministrit Isa Mustafa, të enjten, të cilën nuk e ka vlerësuar si të përmbushur, pasi Mustafa nuk ka dhënë informata për gjendjen e shqiptarëve në veri të vendit. Shala ka kërkuar nga kryeministri që të jetë proaktiv në kthimin e të gjithë shqiptarëve të shpërngulur në pronat e tyre, njofton Klan Kosova.
“Udhëheqësit e shtetit kanë filluar të tallen me qytetarët, me marrëveshjet që po i bëjnë në Bruksel. Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Kosova ka marrë kodin telefonik, por dihet mirëfilli se aplikimin e ka bërë Austria, pronare është Serbia, ndërsa ne vetëm e shfrytëzojmë. Kryeministri në raportimin e tij për veriun e vendit nuk foli për jetën e shqiptarëve atje. Ai nuk është kryeministër vetëm i serbëve të veriut, por edhe i shqiptarëve. Ai duhet të flasë për gjendjen e tyre atje. Atje banorët të cilët kanë jetuar dikur, tashmë janë të shpërngulur. Megjithatë askush nuk merret me kthimin e tyre në pronat që posedojnë”.
“Përderisa drejtori regjional i Policisë së Kosovës arrestohet, atëherë nuk mund të themi se e kemi nën kontroll territorin”.
“Kryeminisitri Mustafa bën telefonata në Serbi për çështjet e serbëve disa herë në ditë. Por ai nuk e pa të udhës që këtë gjë ta bëj për ta liruar një zyrtar të lartë të policisë së vendit. Ministria e Punëve të Brendshme nga ana tjetër duhet të kërkojë nga Interpol-i që listat e Serbisë për arreste ndërkombëtare të pastrohen, në mënyrë që të mos preken qytetarët tanë që udhëtojnë sot nëpër territorin e Serbisë”.
Ai ka komentuar edhe sondazhin e fundit të “fuqisë” së partive politike, që NISMËN e rendit poshtë, me vetëm dy për qind të votuesve, duke e cilësuar si të pabazë, njofton Klan Kosova.