Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, ka pritur në takim kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, i cili e njoftoi ministrin për aplikimin për pranim në Unionin e Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe për takimin që ka pasur me të parin e saj, Michel Platini.
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, me Platinin ka diskutuar për gjendjen e futbollit në Kosovë, ku Platini premtoi që viti 2016 do të jetë përfundimi i një izolimi për futbollin kosovar. Kjo do të shënojë një hap të rëndësishëm për futbollistët tanë si dhe do të ndikojë në kultivimin e mëtutjeshëm të futbollit në vendin tonë dhe në motivimin për ngritjen e cilësisë në çdo aspekt, tha Vokrri.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për investimet në infrastrukturë në sport, të cilat janë prioritet i MKRS-së, për ngritjen e kapaciteteve profesionale të federatës, me theks, në ndërtimin e rinovimin e stadiumeve, si dhe punën me gjeneratat e reja.
Shala po ashtu e theksoi se prioritet mbetet përgatitja e jonë si vend që të jemi pjesëmarrës por edhe garues cilësor në ngjarjet e ardhshme që e presin Kosovën në sferën e futbollit.