Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka bërë të ditur se gjigandi metalurgjik “Trepça”, nuk është duke punuar tash e një muaj, raporton Ekonomia Online.
Fajtor sipas Shalës është keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi menaxherial.
Shala ka thënë se janë mbi 6 milionë euro borxhe vetëm ndërmarrjeve furnizuese private, të cilat kanë ndërprerë furnizimin me eksploziv, pjesë këmbimi e derivate.
“Tash e një muaj, Trepça nuk punon. Situata ekonomike, e sigurisë dhe e mbrojtjes në punë është alarmante, shqetësuese. Si rezultat i keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit menaxherial, financiar e teknologjik që po vazhdon në ndërmarrje, tash e 30 ditë nuk ka prodhim në minierën kryesore, atë të Stantërgut. Mbi 6.5 milion euro borxhe vetëm ndërmarrjeve furnizuese private (të cilat kanë ndërprerë furnizimin me eksploziv, pjesë këmbimi, derivate etj). Pothuajse në situatë edhe me të keqe është gjendja në minierën e Artanës. Dhjetëra lëndë në procedura përmbarimi. Disa miliona euro borxhe për rentën minerare KPMM-së”, ka shkruar Shala në Facebook, teksa kritikon Qeverinë edhe për punësime partiake.
“Tashmë as kontributet e trustit të punëtorëve nuk paguhen rregullisht. Vetëm gjatë muajit mars humbjet e përgjithshme në Trepçë janë mbi 1.5 milion euro. E në anë tjetër Qeveria po punëson militant pa asnjë përvojë pune në këtë sektorë industrial. Tash e tri vite kjo qeveri asnjë rezultat në Trepçë”, u shpreh ai.