Shala kërkon të subvencionohen faturat e energjisë nga Qeveria: Shtrenjtimi është më lartë se sa është pritur

E publikuar: 30/03/2023 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se shtrenjtimi i rrymës nga ZRRE, është në shkallë më të lartë se sa është pritur.

Sipas tij me këtë shtrenjtim kur shkalla e inflacionit është afër rreth 13 për qind, kostoja e ekzistencës së familjeve kosovare do të jetë e ekspozuar ndaj këtyre faktorëve të rëndë ekonomik.

“Kur i shtojmë shkallën e planifikimit që ka bërë ZRRE, tash në 14 deri në 15 për qind të tarifave të energjisë, është një shkallë e lartë shumë ma e lartë se sa që është prit dhe është planifikuar sipas të gjithë parametrave. Çështja do të vështirësohet tej masë për konsumatorin sepse ai, tashmë është i ekspozuar 15 për qind ngritjes së tarifave të energjisë dhe diku 13 për qind është shkalla e inflacionit sot. Kur i shtojmë kësaj edhe gjendjen e përgjithshme ekonomike, rritjen si asnjë herë më parë të importeve dhe shumë çka tjetër. Kostoja e ekzistencës së familjeve tona do të jetë jashtëzakonisht e ekspozuar para këtyre faktorëve të rëndë ekonomik që po ju servohet tashmë”, tha ai.

Shala tha se zgjidhja e vetme për të ju dalë në ndihmë qytetarëve është subvencionimi i faturave nga qeveria.

“Tashmë jemi në fazën juridike ku nuk ka mekanizëm tjetër përveç qeverisë që duhet të subvencionojë edhe atë nuk ka alternativë sipas mendimit tim që përveç që subvencionimit të faturës fundore, konsumatorit të ju hiqet së paku ky 15 përqindësh që tashmë është barrë për ta”, tha ai për EO.