Në emisionin EUROn’7 në T7, anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin Martin Berishaj, Ferat Shala ka deklaruar se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka bllokuar për dy vjet investitorët në sektorin energjetik.
Sipas tij, janë gjashtë projekte të përgatitura nga investitorët privatë për investim në energji të ripërtritshme dhe në total investimet e planifikuara për këto projekte janë 775.7 milionë euro, projekte që do të prodhonin 684.9 MW energji elektrike.
Deputeti Shala shprehet i bindur se kryeministri Albin Kurti përmes ministreve Rozeta Hajdari dhe Artane Rizvanolli, ka bllokuar të gjitha nismat dhe projektet investive në fushën e energjisë.
“Me bllokimin e këtyre projekteve po favorizohet tregtia me rrymë dhe sa më shpejt që fillojnë investimet në sektorin e energjisë aq më shpejt do të bëhet shkëputja nga mafia energjetike”, ka thënë deputeti Ferat Shala.
Sipas deputetit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, edhe pse si shtet jemi ballafaquar me mungesë të kapaciteve prodhuese dhe sistem të vjetërsuar, kjo nuk ka zmbrapsur partinë në pushtet që të pengojë dhe bllokojë çdo investim në energji.