Shala: Ekziston urgjenca e ShBA-së dhe BE-së që të mbyllen proceset në Ballkan

E publikuar: 16/02/2023 21:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkrimtari dhe publicisti Blerim Shala, ka folur për letrën uruese të presidentit të ShBA-së, Joe Biden, dërguar homologes së tij, Vjosa Osmani, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Shala tha se në letrën e Bidenit u pa që ShBA-ja s’ka ndërruar qëndrim në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

“Ky proces do të çonte tek njohja reciproke, sepse Serbia s’mund të hyjë në BE pa njohjen e Kosovës. Ky është qëndrim kategorik, ku ia ka përmendur Kancelari Scholz”.

“Në këto rrethana ndërkombëtare, ekziston një urgjencë e ShBA-së dhe BE-së që të mbyllen proceset e pazgjidhura në Ballkan, e kryesori është raporti Kosovë – Serbi”, është shprehur Shala në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se problemet më të mëdha, Kosovës i kanë ardhur nga pesëshja mosnjohëse të BE-së.

“Sikur të na njohnin këto pesë shtete në vitin 2008, ne me siguri do të ishim në MSA prej vitit 2011-12, do ta merrnim liberalizimin më së voni në vitin 2014, statusin e shtetit kandidat do ta kishim marrë qysh moti, e do të ishim shtet anëtar i Aleancës Veriatlantike që moti, e më të vërtetë ne do të bënim bisedime teknike me Serbinë, për të cilat nuk do të na ishte ngutur fare”, është shprehur Shala, njofton Klankosova.tv.