
Masë e ashpër është konsideruar arresti shtëpiak nga deputeti që po e vuan atë, Haxhi Shala. Ai ka folur për KTV në emisionin Interaktiv në një intervistë për herë të parë nga shtëpia e tij, ku tregoi prapaskenat e hedhjes së gazit.
Shala ka thënë se lirimi i Donika Kadaj-Bujupit e ka gëzuar, teksa ka kërkuar që edhe Albulena Haxhiu të lirohet ngaqë janë nëna dhe nevoja e tyre në shtëpi është e domosdoshme, transmeton Koha.net.
“Veprimet e policisë tek selia e VV-së më 28 nëntor, më kanë revoltuar që edhe unë të jem në mesin e deputetëve që hedhin gaz lotsjellës, jam paraqitur vullnetar”, ka thënë Shala, duke shtuar se ndërhyrja e policisë ka qenë sikur të ishte ndonjë sulm terrorist e jo të arrestohej një deputet.
Shala ka treguar se në momentin kur ka dalë vullnetar për të hedhur gaz, u ka thënë deputetëve opozitarë se nuk do të ikë.
“Unë kam dal nga pjesa e hyrjes së Presidencës, jam takuar me policë civilë dhe nuk kam pranuar që as të përdorim makinën e policisë, por kemi shkuar në këmbë deri në stacionin policor”, rrëfeu Shala duke thënë se kjo ka qenë ndihmesë për të që të shkojë direkt në masën e arrestit shtëpiak.
Më tej, Shala ka thënë se caktimi i datës për mbajtjen e seancës së radhës është interesim i pozitës për të arrestuar më shumë deputetë opozitarë. E seancat e radhës, sipas Shalës, do të bllokohen përsëri, duke shtuar se ai do të hidhte gaz përsëri nëse nevojitet mbrojtja e vendit.
Ftesa e Mustafës për dialog me opozitën, për Shalën është e vonë sepse është dashur të dërgohet pas një jave menjëherë dhe jo pas tre muajsh.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e referendumit dhe mundësinë e zgjedhjes, dhe se rezultati i njërës prej tyre do të respektohet edhe nga opozita.