Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në komunën e Prishtinës, Flamur Shala, ka kundërshtuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se ka rritur investimet kapitale në kryeqytet.
Shala në një postim në Facebook ka shkruar se Ahmeti po bën mashtrim të madh ndaj qytetarëve të Prishtinës për disa arsye.
Lexoni postimin e plotë të Shalës:
Deklarimi i Ahmetit se, sipas tij, “Këtë vit kemi pasur një buxhet prej 63 milionë euro, ku 27 milionë kanë qenë vetëm për investime kapitale” dhe se “Sivjet i kemi diku 180 projekte aktive” si dhe, gjithnjë sipas tij, se “Kemi rritje substanciale të investimeve kapitale gjë që sjell rritje ekonomike në një shtet, qytet”, është mashtrimi më i madh që po u bëhet qytetarëve të kryeqytetit, ja pse:
Nuk janë 27 milionë, por janë rreth 24 mil. dhe me projektet e bartura nga viti 2014 dhe 2013, ka mbërri në rreth 39-40 milionë për investime kapitale. Nga këto mjete Shpendi i ka shpenzuar me plot parregullsi deri në nëntëmujor vetëm rreth 5 milionë, ndërkaq deri në këto ditë rreth 9 milionë.
Ndërkaq, të hyrat vetanake sipas planifikimit janë 27 milionë, prej tyre të realizuara vetëm rreth 13 milionë gjatë nëntë muajve, e deri tani rreth 16 milionë.
Këto shifra, si në të hyra ashtu edhe në shpenzime, më të ultat në pesëvjetëshin që po lëmë pas me minus 15 milionë euro projekte kapitale, janë alarmante për kryeqytetin, ekonominë dhe financat e saj. Në cilindo vend, në cilindo kryeqytet, një kryetar i tillë me dështime deri në kolaps financiar të qytetit që udhëheq, do të suspendohej brenda 24 orëve.
Më e keqja është ajo se pa fije ndërgjegje dhe përgjegjësie, kryetari dhe pjesëmarrësi i të gjitha protestave të dhunshme në kryeqytetin tonë, që e udhëheq vetë, po del në media e po përpiqet t’i qesë “hi syve” qytetarit të Prishtinës, me dështimet e tij, me dy sytë çelë.


















