Shahini arsyeton vendimin për ndryshimin e orarit gjatë ramazanit

E publikuar: 19/02/2026 21:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Arsimit i Komunës së Prishtinës, Samir Shahini, ka reaguar sa i përket reduktimit të pushimit të gjatë pas fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Ai ka theksuar se ky ndryshim nuk ndikon në kohëzgjatjen e orës mësimore.

Sipas tij, kjo paraqet vetëm ndryshim në lidhje e organizimin e procesit mësimor gjatë ditës.

“Po ndjek me vëmendje diskutimet lidhur me orarin mësimor në shkollat e kryeqytetit dhe e shoh të domosdoshme një sqarim të qartë. Së pari, orari mësimor nuk është shkurtuar. Ora mësimore mbetet 45 minuta, pa asnjë ndryshim në kohëzgjatje. Programi nuk është prekur dhe asnjë orë nuk është hequr. Ndryshimi lidhet vetëm me organizimin e fillimit dhe përfundimit të procesit mësimor gjatë ditës. Pra, kemi një lehtësim të përkohshëm të orarit, jo reduktim të mësimit”, thuhet në njoftimin e tij në Facebook.

Shahini thotë se ky vendim nuk ka ardhur nga ndonjë qasje ideologjike por sipas tij pas kërkesave që ata kanë pranuar nga punonjës të arsimit.

“Në Drejtorinë e Arsimit kemi pranuar shumë kërkesa nga drejtorë, mësimdhënës, prindër dhe nxënës për riorganizim të orarit gjatë kësaj periudhe. Vetëm nga raportimet e mësimdhënësve, një pjesë e konsiderueshme e prindërve kanë shprehur vështirësi konkrete në organizimin e marrjes së fëmijëve në orët e fundit. Kur përballesh me një situatë të tillë, institucioni ka detyrë të tregojë fleksibilitet dhe ndjeshmëri, në funksion të mirëqenies së nxënësve dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor”, tha ai.

Shahini shton se kjo ka ardhur vetëm për një lehtësim organizativ dhe administriv. Ai ka kërkuar që ky vendim të mos keqinterpretohet.

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës sot ka bërë të ditur se mësimi do të fillojë nga ora 07:30, ndërsa do të shkurtohet kohëzgjatja e mesndërrimit dhe do të reduktohen pushimet e gjata.

Sipas tyre pavarësisht ndryshimeve në orar, nuk do të zvogëlohet numri dhe kohëzgjatja e orëve mësimore. Procesi mësimor do të përfundojë më së largu deri në orën 17:00, duke ruajtur cilësinë dhe vazhdimësinë e mësimit.