Sfidat e OShP-së në vitin 2024 janë vonesa në vendimmarrje, shkak bordi i pakompletuar dhe mungesa e stafit

E publikuar: 15/08/2024 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organizata ‘Demokraci Plus’ (D+) ka publikuar raportin e monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për periudhën janar-qershor 2024. Sfidat me të cilat u përball OShP-ja në vitin 2024 janë vonesa në vendimmarrje, kryesisht për shkak të një bordi të pakompletuar dhe mungesës së stafit, mungesa e konsistencës në vendimmarrje, gabime të ekspertëve dhe pamjaftueshmëri në transparencë.

Monitoruesit gjatë kësaj periudhe kanë vërejtur se njëra ndër sfidat e vazhdueshme mbetet vonesa në vendimarrje. Në total nga 367 vendimet e marra, OShP gjatë kësaj periudhe kishte nxjerr vetëm 122 vendime brenda afatit ligjor. Në një rast OShP, ishte vonuar 144 ditë deri në nxerrjen e vendimit ani se sipas Ligjit të Prokurimit Publik nga OShP-ja kërkohet që të nxjerrë vendime brenda 34 ditëve. Tutje, OShP gjatë kësaj periudhe kishte raste që nuk kishte konsistencë në vendimarrje. Në një rast Paneli Shqyrtues kishte vepruar në kundërshtim me nenin 28 të Rregullores së Punës së këtij organi, duke mos i konfiskuar tarifën e ankesës një operatori ekonomik, në emër tëshërbimeve procedurale ani se i njejti ishte tërhequr nga ankesa, derisa në rastet tjera ishte konfiskuar tarifa.

Gjatë kësaj periudhe monitoruese, D+ ka vërejtur se për një aktivitet të prokurimit në OShP edhe pse ishin deponuar dy ankesa të njejta, vendimi për njërën nga ankesat është publikuar, ndërsa për tjetrin rast ende jo, kur kanë kaluar më shumë se 90 ditë nga momenti i ankesës. Sfidë për OShP-në edhe gjatë kësaj periudhe mbeti angazhimi i ekspertëve dhe ekspertizat e pakompletuara nga ana e tyre dhe në disa raste pa një mendim përfundimtar. OShP pranoi 10 aktvendime nga Gjykata Komerciale për vendimet e Panelit Shqyrtues, vendosi tetë operatorë ekonomikë në listë diskualifikuese, emrat e të cilëve i gjeni brenda raportit.